Di Maria: Unitedi ma dha fanellën me numër 7… s’më la opsion tjetër

  • 04 February 2020 - 13:54
Di Maria: Unitedi ma dha fanellën me numër 7… s’më la opsion tjetër

Sulmuesit argjentinas, Angel Di Marias, iu dha fanella me numër shtatë sapo mbërriti në Old Trafford në vitin 2014, mirëpo ai ka zbuluar se do të kishte preferuar ta merrte fanellën me numër 11.

Angel Di Maria e siguroi transferimin e shtrenjtë në Old Trafford nga Real Madridi në verën e vitit 2014 dhe menjëherë iu dha fanella me numër shtatë, që në klubin anglez ishte mbajtur nga disa lojtarë legjendarë si Erci Cantona, David Beckham dhe Cristiano Ronaldo.

Djajtë e Kuq kishin pritje të mëdha për Di Marian pas periudhës së tij të suksesshme me Real Madridin. Trajneri i atëhershëm Louis van Gaal ishte shprehur i bindur se e kishte blerë një superlojtar.

Megjithatë, Di Maria e kaloi vetëm një sezon në Old Trafford, para se të kalonte në Paris Saint-Germain. Djajve të Kuq nuk iu shpërblye kurrë investimi i bërë në argjentinasit, të cilin e shitën për më pak para sesa që e kishin blerë.

Ai nuk i arriti standardet që i kishin krijuar lojtarët që e kishin mbajtur fanellën me numër shtatë para tij. Mirëpo, në një intervistë ku e sqaroi pse e mori numrin 11 në PSG, Di Maria tha se ai nuk kishte dashur kurrë ta merrte atë fanellë legjendare në Old Trafford.

“Nuk e di pse e kam marrë numrin 11 të them të vërtetën. Kur erdha këtu, e pash që kjo fanellë ishte e lirë. Është një numër që e kam mbajtur shumë kur kam qenë i ri dhe doja ta merrja sërish”, ka thënë Di Maria.

“Në Real Madrid, numri 11 ishte i zënë, kështu që unë e mora 22. Në Manchester United, ata ma dhanë numrin 7, nuk më lanë opsion tjetër. Do të më kishte pëlqyer ta merrja numrin 11, por ashtu ndodhi. Këtu, unë pata opsion, kështu që e zgjodha 11-shin”.

(Kosova Sot Online)