“Zlatan rrezikoi gjithçka me ardhjen në Milan”

  • 05 February 2020 - 10:23
“Zlatan rrezikoi gjithçka me ardhjen në Milan”

Zyrtari i Milanit, Zvonimir Boban, ka bërë të ditur se klubi kuqezi do të jetë përgjithmonë mirënjohës Zlatan Ibrahimovicit që rrezikoi gjithçka për t’u kthyer te një Milan që ka qenë në vështirësi gjatë kohës së fundit.

Zlatan Ibrahimovic iu ribashkua skuadrës së Milanit muajin e kaluar, pasi ishte larguar nga kuqezinjtë në vitin 2012. 38-vjeçari ka pasur ndikim të menjëhershëm në San Siro.

Që kur ka ardhur si transferim i lirë nga klubi amerikan LA Galaxy, Ibrahimovici  e ka përmirësuar atmosferën në zhveshtore dhe i ka shënuar dy gola në pesë paraqitjet e tij.

Milani nuk e ka humbur asnjë ndeshje që kur është kthyer Ibrahimovici – një ecuri prej shtatë ndeshjeve – dhe Boban e lavdëroi së fundi ish-yllin e Manchester Unitedit dhe Paris Saint-Germainit.

“Ibra është një lojtar shumë karizmatik dhe është superprofesionist. Ai iu bashkua skuadrës me një qasje shumë modeste, përkundër që është lojtar me fuqi të mëdha në shumë aspekte”, ka thënë Boban.

“Ai e ka pasur një ndikim të vërtetë te bashkëlojtarët e tij të rinj dhe ardhja e tij e ka rritur shumë vetëbesimin në skuadër. Nuk ishte e lehtë, por ai e gjeti mënyrën e përsosur për ta kuptuar këtë moment delikat nëpër të cilin po kalonin lojtarët tonë”.

“Ne do t’i jemi përgjithmonë mirënjohës atij sepse ai s’kishte nevojë të dëshmonte asgjë me ardhjen e tij në Milan dhe rrezikoi të humbasë gjithçka”. 

(Kosova Sot Online)