Arteta lavdërohet për punën që e ka bërë me Xhakën dhe Mustafin

  • 06 February 2020 - 14:58
Arteta lavdërohet për punën që e ka bërë me Xhakën dhe Mustafin

Ish-lojtari legjendar i Arsenalit, Ian Wright, e ka lavdëruar trajnerin e ri të Topçinjve, Mikel Arteta, për punën që e ka bërë me Granit Xhakën dhe Shkodran Mustafin, nga të cilët ka arritur ta nxjerrë më të mirën.

Që kur është larguar Unai Emery nga pozita e trajnerit të Arsenalit dhe në vend të tij ka ardhur Mikel Arteta, karrierat e Granit Xhakës dhe Shkodran Mustafit kanë pësuar ndryshim për të mirë.

Përderisa Xhaka kishte qenë në një krizë në Arsenal në fund të periudhës së Emerys në klub, me ardhjen e Artetas, ai tani e ka rifituar vendin në formacionin e parë dhe është sërish kandidat për ta marrë shiritin e kapitenit.

Histori e ngjashme është edhe ajo e Shkodran Mustafit, të cilin Arsenali po mundohej t’ia gjente një klub të ri vetëm për ta larguar nga skuadra, ndërsa tani ai është kthyer në formë të mirë dhe i ka fituar sërish zemrat e disa tifozëve.

“Arsenali ka pësuar ndryshim në organizim, në intensitetin e lojës dhe mënyrën se si luan e gjithë skuadra. Ai ka punuar me lojtarët si Lucas Torreira, Xhaka… Ai e ka ndryshuar për të mirën Xhakën”, ka thënë Wright.

“Ai ka arritur edhe të nxjerrë diçka nga Shkodran Mustafi. Mustafi luajti mirë në ndeshjen e asaj dite kundër Burnleyt. Shumë gjëra po ndodhin në Arsenal, mirëpo duhet edhe më shumë kohë”. 

(Kosova Sot Online)