Nora e Distria, synojnë medalje në Grand Slamin e Parisit, mungon Majlinda!

  • 07 February 2020 - 16:28
Nora e Distria, synojnë medalje në Grand Slamin e Parisit, mungon Majlinda!

Xhudistet kosovare kërkojnë medalje në “Paris Grand Slam 2020”, mungon Majlinda Kelmendi

Kosova do të përfaqësohet me tri garuese në turneun e xhudos, “Paris Grand Slam 2020”.

Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Laura Fazliu do ta përfaqësojnë vendin tonë në turneun prestigjioz, i cili do të mbahet këtë fundjavë në Francë.

Edhe pse pritej që pjesë e këtij turneu të ishte edhe Majlinda Kelmendi, trajneri Driton Kuka e ka tërhequr atë në momentet e fundit.

Nora dhe Distria synojnë të fitojnë medalje në këtë turne.

Krasniqi do të garojë këtë radhë në kategorinë 52 kilogramë.

Ajo e ka kaluar rrethin e parë pa luftë, ndërsa në atë të dytë do të ketë punë me algjerianen Faiza Aissahine.

Kurse, Gjakova po ashtu e kaloi xhiron e parë pa luftë. 

Në atë të dytë e pret fituesen e duelit në mes të azerbajxhanases Alexandra-Larisa Florian ndaj vjetnamezes Ngoc Diem Phuong Nguyen.

E garuesja e tretë e Kosovës në Paris do të jetë Laura Fazliu.

Ajo do të garojë në kategorinë 63 kilogramë dhe në rrethin e parë do të ketë punë me turken Minel Akdeniz. 

(Kosova Sot Online)