“S’është e drejtë: Të gjithë po e kritikojnë Manchester Unitedin e Arsenalin as që e përmendin”

  • 16 February 2020 - 11:22
“S’është e drejtë: Të gjithë po e kritikojnë Manchester Unitedin e Arsenalin as që e përmendin”

Mbrojtësi i Manchester United, Luke Shaw, beson se ekipi i tij është duke u sulmuar padrejtësisht nga kritikët, duke thënë se Arsenali nuk po përballet me kritikat e njëjta me gjithë formën e dobët dhe vështirësitë.

Të dy ekipet kanë pësuar rënie në sezonet e fundit, duke ngelur shumë prapa rivalëve të vet për një vend në topkatërshe në Premierligë.

Unitedi, pa fitore në tri ndeshjet e fundit në ligë, renditet në vendin e nëntë në tabelë me gjashtë pikë prapa vendit të katërt, Chelsea, ndërsa Arsenali renditet i 11-ti para takimit me Newcastle këtë të diele.

Arsenali ka barazuar në katër ndeshjet e fundit.

Unitedi është përballur vazhdimisht me kritikat të mëdha për rënien nga fitues i Premierligës më 2013 në gjendjen momentale, por Shaw ndien se sulmet janë të tepruara. 

“Më është dashur të mos i marr (kritikat) afër zemrës. Nganjëherë është e lehtë për njerëzit të harrojnë nëpër çfarë kam kaluar unë”, tha Shaw për Mirror.

“Të luash në klubin më të mirë në botë United duhet të jesh i pandjeshëm, sepse të gjithë të shikojnë dhe dëshirojnë të të kritikojnë kur humb. Njerëzit gjithmonë presin për të kritikuar në momentin që diçka shkon keq, por kështu e ka kur luan për Unitedin”, shtoi ai.

“Me gjithë respektin për Arsenalin, i cili është klub fantastik, por nuk është duke e pasur një sezon madhështor edhe prapëseprapë askush nuk e përmend. Më duket qesharake që nëse është Unitedi, të gjithë kritikojnë, por Arsenalin as që e përmendin”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)