Klubet e mëdha mund ta blejnë Rashicën për 38 mln euro, por jo edhe Bayern Munich

  • 19 February 2020 - 21:12
Klubet e mëdha mund ta blejnë Rashicën për 38 mln euro, por jo edhe Bayern Munich

Milot Rashica e ka një klauzolë në kontratën e tij me Werder Bremen, e cila vlen për çdo klub, përveç Bayern Munich dhe klubeve të tjera nga Bundesliga gjermane.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës mund të largohet nga Werder Bremen për 38 milionë euro, por kjo vlen vetëm për klubet e interesuara nga ligat tjera si Premierliga, La Liga, Serie A dhe Ligë 1, sipas mediave gjerman.

Së fundmi është sugjeruar se Rashica është lojtar ideal për Bayern Munich apo Borussia Dortmund.

Madje, ish-ylli i Gjermanisë dhe Liverpoolit, Didi Hamann, tha se kampioni gjerman duhet ta blejë 23-vjeçarin e lindur në Vushtrri, duke sugjeruar se ai do t’i kushtonte klubit shumë më lirë se Leroy Sane i Manchester City.

Por Bayern Munich dhe cilido klub gjerman, duhet të ulët dhe të bisedojë për çmim me Werder Bremenin për t’i siguruar shërbimet e kosovarit.

Së fundmi, mediat në Angli kanë raportuar se Liverpooli është duke menduar ta blejë Rashicën për 38 milionë euro.

Anësori shpërthyes ka kontratë me Bremenin deri në verën e vitit 2022 dhe thotë se është i përkushtuar ta ndihmojë skuadrën e tij t’i shpëtojë rënies nga liga këtë sezon.

Rashica i ka regjistruar 7 gola dhe 3 asiste në 18 paraqitje deri tani këtë sezon në Bundesligë.

(Kosova Sot Online)