Solskjaer i befasuar pas fitores 5:0 në Evropë: Lojtarët po buzëqeshin

  • 28 February 2020 - 10:09
Solskjaer i befasuar  pas fitores 5:0 në Evropë: Lojtarët po buzëqeshin

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ishte shumë i kënaqur me mënyrën se si skuadra e tij luajti në fitoren me rezultat 5:0 kundër Club Brugge në fazën e 1/16 të finales së Ligës së Evropës.

Një gol i shënuar nga pika e penalltisë nga Bruno Fernandes e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes, para se të shënonin edhe Odion Ighalo në debutimin e tij si startues për Djajtë e Kuq dhe Scott McTominay në kthimin e tij nga një lëndim i rëndë.

Dy golat e fundit të shënuar nga Fred ia vulosën fitore bindëse Manchester Unitedi, që momentalisht po kalon në një formë të mirë. Solskjaer është veçanërisht i kënaqur me formën e skuadrës së tij në mbrojtje, pasi që lojtarët e tij e kanë pranuar vetëm një gol këtë muaj, atë në ndeshjen e parë kundër Club Brugge.

“Ne nuk po pranojmë gola dhe kjo është shumë e rëndësishme, Por, ne sot luajtëm në atë mënyrë që duam të luajmë gjithmonë”, tha Solskjaer, në një intervistë të dhënë për BT Sport pas ndeshjes.

“Lojtarët po buzëqeshin, po luajmë me vetëbesim dhe ne e duam këtë gjë. Lojtarët e rinj e kanë sjellë këtë. Futbolli që e luajtëm është ajo që më kënaqi më së shumti sot”.

“Ne e nisëm ndeshjen me qëllime të mëdha. Ne po luanim me ritëm të mirë dhe kishim qëllim në stilin tonë të lojës, si dhe i shënuam disa gola të mrekullueshme”.

(Kosova Sot Online )