Çfarë duhet të dini për edicionin e ri të Ligës së Kombeve

  • 03 March 2020 - 10:47
Çfarë duhet të dini për edicionin e ri të Ligës së Kombeve

Sot do të hidhet shorti për grupet e edicionit 2020/21 të Ligës së Kombeve, ku Kosova dhe Shqipëria mund të rezultojnë në të njëjtin grup të Ligës C. Ky edicion vjen me disa ndryshime nga edicioni i kaluar. Më poshtë mund t’i gjeni të gjitha informatat kryesore për këtë garë.

Çfarë është Liga e Kombeve 2020/21?

Është edicioni i dytë i garës më të re të UEFA-s për ekipet kombëtare. Portugalia e fitoi titullin e edicionit inaugurues të kësaj gare në vitin 2019, në finalet që u zhvilluan në Portugali dhe i dhanë fund një turneu që solli ndeshje interesant në të gjithë kontinentin evropian. Edicioni 2020/21 është planifikuar të vazhdojë pothuajse njëjtë, por me disa ndryshime.

Kur fillon?

Shorti do të mbahet sot, më 3 mars, ndërsa ceremonia do të fillojë në orën 18:00 në Amsterdam. Faza e ndeshjeve të Ligës do të zhvillohet gjatë muajve shtator, tetor dhe nëntor, ndërsa finalet në vitin 2021 dhe play-offs për rënie nga liga në mars të vitit 2022.

Me kënd mund të përballen skuadrat?

55 ekipet kombëtare të vendeve pjesëmarrëse të UEFA-s do të ndahen në katër Liga varësisht nga renditja e tyre në Rangimet e UEFA-s për ekipet kombëtare (ekipet kombëtare të radhitura nga pozita e parë në atë të 16 do të jenë në Ligën A, nga 17 në 32 në Ligën B, nga 33 në 48 në Ligën C dhe nga 49 në 55 në Ligën D). Brenda çdo lige, ekipet do të ndahen në katër vazo (Liga A, Liga B dhe Liga C) ose në dy vazo (Liga D), sërish varësisht prej rangimeve.

Liga A

Vazo 1: Portugalia, Holanda, Anglia, Zvicra

Vazo 2: Belgjika, Franca, Spanja, Italia

Vazo 3: Bosnja dhe Hercegovina, Ukraina, Danimarka, Suedia

Vazo 4: Kroacia, Polonia, Gjermania, Islanda

Liga B

Vazo 1: Rusia, Austria, Uellsi, Republika Çeke

Vazo 2: Skocia, Norvegjia, Serbia, Finlanda

Vazo 3: Sllovakia, Turqia, Republika e Irlandës, Irlanda Veriore

Vazo 4: Bullgaria, Izraeli, Hungaria, Rumania

Liga C

Vazo 1: Greqi, Shqipëria, Mali i Zi, Gjeorgjia

Vazo 2: Maqedonia e Veriut, Kosova, Bjellorusia, Qipro

Vazo 3: Estonia, Sllovenia, Lituania, Luksemburgu

Vazo 4: Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani, Moldavia

Liga D

Vazo 1: Gjibraltari, Ishujt Faroe, Letonia, Lihtejnshajni

Vazo 2: Andorra, Malta, San Marino

Si funksionojnë Ligat?

Ekipet do të luajnë me kundërshtaret e grupit në format vajtje-ardhje. Katër fituesit e grupeve të Ligës A do të kualifikohen për Finalet e Ligës së Kombeve në qershor të vitit 2021, kur do të zhvillohen dy gjysmëfinalet, një ndeshje për ta përcaktuar vendin e tretë dhe finalja e madhe.

Fituesit e grupeve në Ligat B, C dhe D fitojnë promovim në një ligë më lart, ndërsa ekipet që mbesin të fundit në grupet e tyre përkatëse në Ligat A dhe B do të bien në një ligë më poshtë.

Pasi që Liga C i ka katër grupe, ndërsa Liga D i ka vetëm dy, dy ekipet e Ligës C që do të bien në Ligën D do të vendosen përmes barazhit që do të zhvillohet në mars të vitit 2022. Nëse një ekip e ka fituar një vend për të marrë pjesë në play-offs për kualifikim në Kupën e Botës 2022, atëherë ekipet e Ligës C të ranguara në pozitën e 47-të dhe atë të 48-të do të bien automatikisht në Ligën D.

Si ndikon Liga e Kombeve në kualifikimet për Kupën e Botës 2022?

Kualifikimi për Kupën e Botës mbetet pothuajse i njëjtë. Dhjetë fitueset e grupeve do të kualifikohen drejtpërdrejt për në turneun që do të mbahet në Katar. Megjithatë, formati i play-offs ka ndryshuar paksa, pasi që tani do të ketë dy runde të fazës eliminatore, nga të cilat do të kualifikohen tre ekipe.

Në këto play-offs do të marrin pjesë dhjetë ekipet që u listuan të dytat në grupet e tyre kualifikuese për Kupën e Botës dhe dy fitueset më të mira të grupeve të Ligës së Kombeve (bazuar në rangimin e përgjithshëm në Ligën e Kombeve të UEFA-s), që s’janë kualifikuar drejtpërdrejt ose s’i kanë arritur as play-offs.

Kur do të zhvillohen ndeshjet?

Xhiroja 1: 3-5 shtator 2020

Xhiroja 2: 6-8 shtator 2020

Xhiroja 3: 8-10 tetor 2020

Xhiroja 4: 11-13 tetor 2020

Xhiroja 5: 12-14 nëntor 2020

Xhiroja 6: 15-17 nëntor 2020

Finalet: 2, 3, 6 qershor 2021 

(Kosova Sot Online)