Koronavirusi ndërpret kampionatin e futbollit në Shqipëri

  • 12 March 2020 - 13:20
Koronavirusi ndërpret kampionatin e futbollit në Shqipëri

Federata Shqipare e Futbollit ka njoftuar se do të ndërpritet kampionati i futbollit në Shqipëri.

Përmes një njoftimi për shtyp, FHSH bën të ditur se për shkak të përhapjes së koronavirusit, të gjitha aktivitetet sportive do të pezullohen në mbarë Shqipërinë.

NJOFTIMI:

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit ka ndjekur nga afër dhe me prioritet ecurinë e situatës në vendin tonë pas rasteve të shfaqura me COVID-19.

Nisur nga përshkallëzimi i kësaj situate dhe duke ndjerë përgjegjësi maksimale për të gjithë personat e përfshirë në jetën futbollistike në vend si dhe pas propozimit te Komitetit të Emergjencave në FSHF, Komiteti Ekzekutiv vendosi pezullimin e të gjitha aktiviteteve futbollistike.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë deri në një komunikim tjetër të Federatës së Futbollit.

Lidhur me të gjitha aktivitetet ndërkombëtare futbollistike, ku edhe Shqipëria është pjesëmarrëse, ditën e martë në orën 13:00 UEFA do të organizojë një video-konferencë me të 55 federatat anëtare për të marrë vendimin lidhur me ecurinë e të gjitha aktiviteteve futbollistike evropiane.

(Kosova Sot Online)