Ministri italian shuan shpresat për kthimin e Serisë A në maj

  • 27 March 2020 - 09:36
Ministri italian shuan shpresat për kthimin e Serisë A në maj

Ministri i Sportit në qeverinë italiane, Vincenzo Spadafora beson se autoritetet u treguan më optimistë sesa që duhet kur shpresuan që kampionati në Serisë të rinisë më 3 maj.

Sezoni 2019/20 në botën e futbollit është pezulluar përkohësisht për një kohë të pacaktuar shkaku i krizës së Covid-19, virus ky që i ka prekur 536,373 njerëz në të gjithë botën, ndërsa i ka lënë të vdekur gjithsej 24,112.

Top pesë ligat e Evropës – Premierliga, La Liga, Bundesliga, Ligue 1 dhe Serie A – janë pezulluar të paktën deri në prill, ndërsa edhe garat e tjera evropiane e kanë ndjekur po këtë hap.

Në tentim për t’u siguruar që sezoni i klubeve do të kompletohet, UEFA vendosi ta shtyjë Kampionatin Evropian për verën e vitit 2021, në mënyrë që klubet të mund të luajnë edhe verës për ta përfunduar sezonin 2019/20.

Megjithatë, Italia është njëra ndër vendet më të prekura nga ky virus në botë dhe Spadafora thotë se do të jetë e vështirë që sezoni të përfundohen më 30 qershor, siç janë udhëzuar Federatat nga UEFA.

“Parashikimet që na bënë të mendojmë që futbolli mund të rinisë më fund të prillit ose në fillim të majit ishin më optimiste sesa që duhet, duke e marrë parasysh emergjencën shëndetësore të vendit tonë”, tha Spadafora.

“Unë mund ta them me siguri që edhe nëse rinisin eventet sportive, ato do të zhvillohen pa tifozë. Nuk është e mundur të mendojmë ndryshe, por unë kam shumë dyshime edhe për datën 3 maj. Fatkeqësisht kjo emergjencë po na e ndryshon jetën nga dita në ditë. Ne duhet t’i përshtatim vendimet me këtë epidemi”. 

(Kosova Sot Online)