Handanovic kërkon trofe: S’mund të mbijetojmë me vetëm kujtime

  • 31 March 2020 - 13:50
Handanovic kërkon trofe: S’mund të mbijetojmë me vetëm kujtime

Portieri i Interit, Samir Handanovic, dëshiron të fitojë trofe me klubin zikaltër, pasi që thekson se nuk mund të mbijetohet vetëm me kujtime.

Kapiteni i Interit, Handanovic, u transferua nga Udinese në vitin 2012, mirëpo ende s’ka arritur të fitojë asnjë trofe gjatë këtyre tetë vjetëve të tij në San Siro.

Zikaltrit dukej se ishin pretendentë për titullin e kampionit të Serisë A këtë sezon, mirëpo më vonë humbën pikë në garën kundër Juventusit dhe Lazios, para se koronavirusi të bënte që të ndalet sezoni. Tani Interi ësthë nëntë pikë prapa Juventusit, me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Kur u pyet për kujtimet e mbetura nga fitorja me rezultat 2:1 e Interit kundër Empolit në ditën finale të sezonit 2018/29 të Serisë A, që ia siguroi zikaltërve kualifikimin në Ligën e Kampionëve, Handanovic theksoi se ai dëshiron të fitojë trofe.

“Ishte një mbrëmje e mrekullueshme. Shkoi mirë ndeshja e kjo është më e rëndësishmja. Ishte një moment i vështirë. Ndodhi gjithçka brenda një nate. Gjithçka varej nga ajo ndeshje”, tha Handanovic.

“Ishte një natë emocionuese dhe e mrekullueshme. Ne e shijuam. Është e këndshme ta shikosh sërish atë ndeshje, natyrisht. Është mirë të mendosh për të, por s’mund të mbijetojmë me vetëm kujtime”.

“Të jesh pjesë e Interit është ëndërr për çdo lojtar. Çdo lojtar ambicioz synon të jetë në nivelin më të lartë të futbollit. Atëherë, Interi ishte njëra ndër top klubet në Evropë, në botë. Isha shumë krenar, ishte një sfidë e madhe personale, sikur një ëndërr”. 

(Kosova Sot Online)