“Bundesliga do të kthehet në fund të majit”

  • 11 April 2020 - 19:41
“Bundesliga do të kthehet në fund të majit”

Mesfushori i Eintracht Frankfurtit, Gelson Fernandes, është shprehur i bindur se kampionati i Bundesligës do të rinisë në fund të majit, pas ndërprerjes shkaku i koronavirusit.

Bundesliga ka qenë e pezulluar përkohësisht që nga 13 marsi shkaku i përhapjes së madhe të virusit Covid-19, që e ka ndërprerë futbollin pothuajse në gjithë botën. Megjithatë, liga elitare e futbollit në Gjermani duket se është më afër kthimit sesa ligat e tjera.

Skuadra e Bundesligës dhe Bundesligës 2 i kanë rinisur seancat stërvitore këtë javë dhe drejtori ekzekutiv i Bundesligës, Christian Seifert, ka zbuluar se këto dy liga po shpresojnë t’i rinisin ndeshjet në fillim të majit, për t’i përfunduar ndeshjet deri në fund të qershorit.

Fernandes ka thënë se ky afat kohor mund të jetë më optimist sesa realist, por ai beson se Bundesliga do të kthehet në fund të majit.

“Kur ne të kthehemi, ndeshjet do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura”, ka thënë ish-ylli i Manchester Cityt, Fernandes, në një intervistë të dhënë për BBC.

“Mendoj se do të jetë në fund të majit. Është e pamundur të mendosh se në qershor, korrik ose gusht, ne do të ishim duke luajtur para 50 mijë njerëzve. Do të ishte e gabuar”.

“Është e këndshme të jesh në fushë, por ne po tregohemi të kujdesshëm – po i pastrojmë duart dhe gjithçka – dhe ne ndihemi me fat. Kjo është e vetmja mënyrë se si mund t’i rinisim ndeshjet”. 

(Kosova Sot Online)