Pogba rrëfehet si një tifoz i Arsenalit i cili e adhuronte Thierry Henry-n

  • 14 April 2020 - 23:15
Pogba rrëfehet si një tifoz i Arsenalit i cili e adhuronte Thierry Henry-n

Paul Pogba e ka pranuar se është rritur si një tifoz i Arsenalit, i cili e adhuronte sulmuesin Thierry Henry. Ai besnikërinë thotë t’ia ketë përkushtuar Manchester Unitedit kur i ishte bashkuar akademisë së klubit në Old Trafford.

Fituesi i Kupës së Botës u dërgua në Old Trafford për herë të parë në vitin 2009, pasi e kishte marrë vendimin për t’u larguar nga atdheu për ta ndjekur ëndrrën profesionale në Angli, transmeton Gazeta Express.

Potenciali i tij u zhbllokua nga Djajtë e kuq, të cilët ia mundësuan atij të bëhej yll i madh gjatë dy periudhave të tij në Old Trafford. Kthimi i tij në klub nga Juventusi i kushtoi Unitedit hic më pak se 105 milionë euro.

Pogba është bërë fytyra e Unitedit, me gjithë kritikat e shumta dhe thashethemet e pambarim për largimin e tij.

Përfaqësuesi i Francës thotë se është plotësisht i përkushtuar ndaj kauzës së Manchester Unitedit dhe se është i etur për t’i heshtur ata që dyshojnë në të.

“Do të jem i sinqertë. Pra, në fillim, isha tifoz i Arsenalit – natyrisht për shkak të të gjithë lojtarëve francezë, e dini. Unë dhe vëllai im ishim, por vëllai tjetër ishte tifoz i Manchester United”, tregoi Pogba.

“Nuk mund të thosha asgjë, por e doja Henry-n dhe, për shkak të tij, isha tifoz i Arsenalit. Pastaj ndryshova dhe vendosa të bëhem me vëllain tjetër. Jo me atë që ishte me Arsenalin, por me atë që ishte me Unitedin”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)