Roy Keane, u është kundërpërgjigjur kritikave që ka marrë Mesut Ozili

  • 24 April 2020 - 13:15
 Roy Keane, u është kundërpërgjigjur kritikave që ka marrë Mesut Ozili

Keane mbron Ozilin: As unë s’do të pranoja të më ulej paga në një klub të madh

Legjenda e Manchester Unitedit, Roy Keane, u është kundërpërgjigjur kritikave që kanë marrë futbollistët e Premierligës, veçanërisht Mesut Ozili, për mospranimin e marrëveshjeve për t’iu ulur paga, duke thënë se edhe ai do ta kishte bërë të njëjtën.

Klubi i Premierligës e konfirmoi të hënën se 12.5 për qind e pagës së lojtarëve të ekipit të parë, trajnerit Mikel Arteta dhe stafit të tij tani do të kursehet për ta përballuar krizën e shkaktuar nga virusi Covid-19.

Megjithatë, menjëherë pas këtij lajmi u raportua se Ozili ishte njëri ndër tre lojtarët e Arsenalit që e kanë refuzuar këtë propozim.

Ozil është ndër lojtarët më të paguar në ligë, mirëpo legjenda e Manchester Unitedit, Roy Keane, i ka dalë në mbrojtje mesfushorit gjerman me origjinë turke.

“Nuk jam i sigurt se çfarë do të kisha bërë. Kam shumë simpati për lojtarët e tjerë që po kritikohen”, ka thënë Keane.

“Kur e mendoj tani, veçanërisht me mënyrën se si u largova nga Unitedit, dhe po flas për lojtarët në klubet me të vërtetë të mëdha që kanë pronarë të pasur dhe po kanë presion për të pranuar ulje page… unë nuk do ta pranojë këtë nëse do të isha pjesë e ndonjë klubi më të madh”.

“Nuk është puna e askujt se çfarë bëj unë me pagën time. Ti e merr pagën tënde dhe nëse dëshiron të jesh zemërgjerë, mund ta bësh këtë gjë”.

(Kosova Sot Online)