Red Bull Salzburg e blen Ronaldon nesër po deshi, thotë ylli gjerman

  • 28 April 2020 - 20:38
 Red Bull Salzburg e blen Ronaldon nesër po deshi, thotë ylli gjerman

Red Bull Salzburg mund ta përballojë blerjen e një lojtari si Cristiano Ronaldo, sipas mesfushorit gjerman Oliver Kragl.

Kompania e pijes energjetike e nisi investimin në futboll në vitin 2005, kur e bleu klubin austriak SV Austria Salzburg dhe ia ndryshoi emrin në Red Bull Salzburg.

Që prej atëherë, Red Bull e ka zgjeruar mbretërinë e vet të futbollit duke marrë në pronësi klube si New York Red Bull, Red Bull Brasil, Red Bull Bragantino, Red Bull Gana dhe më e rëndësishmja, RB Leipzig.

Ky i fundit është ngritur nëpër nivelet e futbollit gjerman për t’u bërë kandidat për titull në Bundesligë, derisa po ashtu e tronditi Tottenhamin, finalistin e vitit të kaluar në Ligën e Kampionëve, për të siguruar një vend në çerekfinalen e garës së sivjetme.

Kragl, i cili luan për Beneventon në Serie B, beson se Red Bull e ka fuqinë për ta blerën edhe yllin më të njohur dhe më të madh të Serie A, Ronaldon.

“Red Bull Salzburg e detyroi kampionin evropian Liverpoolin të japë gjithçka nga vetja në Anfield dhe ia nxori një barazim Napolit”, ka thënë Kragl, i cili i kaloi dy vjet e gjysmë në Austri.

“Red Bull mund ta blejë Ronaldon nesër po deshi, mbase. Mendoj se Salzburgu do të bënte mirë në Bundesligën gjermane”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)