Kryebashkiaku kërkoi përfundimin e edicionit, reagon Liverpooli

  • 30 April 2020 - 23:06
 Kryebashkiaku kërkoi përfundimin e edicionit, reagon Liverpooli

Te lideri i Premier Leagues, Liverpooli, kanë thënë se janë të dëshpëruar me deklaratën e kryebashkiakut të qytetit se stinori nuk duhet të rifillojë edhe pa shikues, për shkak të rrezikut për grumbullim të tifozëve jashtë Anfieldit.

Liverpooli ka 25 pikë më shumë se përcjellësi i parë, Manchester City. Liverpoolit i duhen vetëm edhe dy fitore për të siguruar titullin e parë në 30 vitet e fundit.

Klubet e Premier Leagues do të mblidhen të premten për të diskutuar mënyrat e përfundimit të edicionit. Disa skuadra kanë hapur qendrat stërvitore për stërvitje individuale të lojtarëve.

Kryebashkiaku, Joe Anderson, ka thënë për BBC të enjten se gjëja më e mirë do të ishte shpallja e stinorit të përfunduar dhe që Liverpoolit t’i dorëzohet titulli që e meriton.

“Edhe po të luhet pa shikues, mijëra njerëz do të mblidheshin në afërsi të Anfieldit”, ka thënë Anderson, tifoz i Evertonit.

Liverpooli është përgjigjur përmes një komunikate duke thënë se ka mungesë provash për të mbështetur pretendime të tilla.

“Në javët e fundit ne jemi angazhuar me grupet e mbështetësve të cilët na kanë informuar për vendosmërinë e tyre për të respektuar masat e distancës sociale. Në rast se publikohet njoftimi për rifillim të futbollit, ne do të vazhdojmë të punojmë me ta dhe me të përfshirët tjerë për të arritur këtë objektiv thelbësor”.

(Kosova Sot Online)