Ylli i Man Cityt kërkon t’u garantohet siguria pas rinisjes së sezonit

  • 06 May 2020 - 08:52
Ylli i Man Cityt kërkon t’u garantohet siguria pas rinisjes së sezonit

Mbrojtësi anglez i Manchester Cityt, John Stones, mezi po e pret kthimin në fushën e blertë, mirëpo thotë se e dëshiron një gjë të tillë vetëm nëse është e sigurt për të gjithë.

Ndeshjet e futbollit dhe seancat stërvitore në Angli kanë qenë të pezulluara që nga mesi i muajit mars shkaku i virusit Covid-19. Ndërsa, shefi i Unionit të Lojtarëve, Taylor, e ka bërë të qartë se ai s’mund ta paramendojë kthimin e futbollit deri në mes të qershorit.

Premierliga e nisi “Projektin e Rinisjes” në tentim për të gjetur mënyrat më të mirë për kompletimin e sezonit 2019/20, përderisa ndeshjet e mbetura prite të zhvillohen në stadiume neutrale në Angli apo edhe në ndonjë vend tjetër.

Organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, ka propozuar rritjen e numrit të zëvendësimeve për një ndeshje në mënyrë që lojtarëve t’u lehtësohet barra e punës, pasi që shumë ndeshje pritet të zhvillohen brenda një afati të shkurtër kohor.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Futbollistëve Profesionistë, që përfaqëson futbollistët në Angli dhe Uells, ka thënë se në diskutime është propozuar edhe shkurtimi i ndeshjeve në më pak se 90 minuta lojë.

Përderisa City është në pozitën e dytë në tabelën e Premierligës dhe është 25 pikë prapa liderit Liverpool, Stones thotë se ai e dëshiron kthimin në fushën e blertë, por e do këtë vetëm nëse është e sigurt.

“Ne të gjithë e duam kthimin e futbollin, unë më shumë sesa kushdo tjetër, por unë dua që kjo të bëhet në momentin e duhur dhe dua që të jetë e sigurt për të gjithë”, ka thënë Stones.

“Për mua, si lojtar, unë dua që të luaj në një stadium të mbushur me tifozë dhe tifozët duan të vijnë në ndeshje. Nëse ata s’mund ta bëjnë këtë, ata do t’i shikojnë ndeshjet në TV, por ajo është dashuri dhe pasioni që të gjithë e njohim dhe e duam”.

(Kosova Sot Online)