Maguire: Erdha në Man United për të fituar trofe

  • 06 May 2020 - 11:44
Maguire: Erdha në Man United për të fituar trofe

Harry Maguire e ka shprehur besimin e tij se Manchester Unitedi do të duhet të ketë fuqi të madhe mendore për t’u kthyer në nivelin më të lartë të futbollit, përderisa e ritheksoi dëshirën e tij për të fituar trofe në vitet e ardhshme.

Mbrojtësi anglez nënshkroi kontratë gjashtëvjeçare në Old Trafford pasi e kompletoi transferimin për 80 milionë funte nga Leicester City gjatë verës së kaluar, duke u bërë kështu mbrojtësi më i shtrenjtë në histori.

Që nga atëherë, 27-vjeçari ka arritur t’ia kompensojë ato para Djajve të Kuq duke e përmirësuar dukshëm repartin e mbrojtjes të skuadrës, përderisa ka arritur ta formojë një partneritet mbresëlënës me Victor Lindelofin në qendër të mbrojtjes.

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer madje ia besoi Maguire-t shiritin e kapitenit në janar, ndërsa Manchester Unitedi iu kthye formës së mirë me 11 ndeshje pa pësuar disfatë para se pezullohej futbolli shkaku i koronavirusit.

Tani Manchester Unitedi është afër ta zë një vend në top katërshe të Anglisë, ndërsa ka bërë progres edhe në Ligën e Evropës dhe FA Cup. Maguire e pranon se skuadra e tij s’ishte mjaftueshëm e mirë në pjesën e parë të sezonit, por mendon se kanë shfaqur shenja të mira gjatë vitit 2020.

“Kundërshtari ynë më i madh është ndoshta vetja jonë. Do të thosha se disa herë këtë vit, si skuadër, e kemi zhgënjyer veten duke mos qenë vazhdimisht në formën tonë më të mirë. S’e kam fjalën vetëm për ndeshje të plota, por edhe për disa pjesë brenda ndeshjeve”, ka thënë Maguire.

“Ka pasur disa raste kur ne kemi qenë aq të mirë në ndeshje dhe pastaj e kemi lëshuar pak dhe jemi ndëshkuar. Kështu që po them se kundërshtari ynë më i madh është vetja jonë”.

“Ne duhet të jemi të fuqishëm në aspektin mendor. Jemi një grup i lojtarëve të rinj, por nuk duhet ta përdorim këtë si arsyetim. Unë kam ardhur në këtë klub sepse dua të fitoj trofe. Kur të mendoj në të ardhmen për kohën time në Manchester United, dua të sigurohem që të kem trofe në koleksionin tim.

(Kosova Sot Online)