Kryetari i Londrës s’pranon rinisjen e ndeshjeve në qytetin e tij: Ende herët

  • 13 May 2020 - 08:22
Kryetari i Londrës s’pranon rinisjen e ndeshjeve në qytetin e tij: Ende herët

Kryetari i Londrës, Sadiq Khan, e ka vënë edhe më shumë në dyshim kthimin potencial të ndeshjeve të Premierligës, duke thënë se është ende shumë herët për t’i luajtur ato ndeshje në qytetin që ai e drejton.

Qeveria britanike e konfirmoi të hënën se sporti profesionist nuk mund të rinisë deri më 1 qershor, as prapa dyerve të mbyllura, përderisa e bëri të ditur rrugën drejt kthimit në normalitet pas situatës së krijuar nga virusi Covid-19.

Richard Masters, drejtori ekzekutiv i Premierligës, tha se ata janë duke punuar për ta krijuar një model sa më të përgjegjshëm dhe të sigurt për ta kompletuar këtë sezon, përderisa 12 qershori u përdor si datë e mundshme e kthimit të Premierligës.

Klubet e Premierligës mbajtën edhe bisedime të mëtutjeshme me zyrtarët e ligës të hënën në tentim për t’i dhënë fund ndërprerjes së ndeshjeve dhe seancave stërvitore dhe për ta rinisur sezonin 2019/20. Në këtë takim, klubet nuk u shprehën të gatshme t’i luajnë ndeshjet e mbetura në stadiume neutrale, gjë që duhet ta bëjnë për ta rinisur sezonin.

Londra është përgolur si qyteti i mundshëm për organizimin e ndeshjeve të mbetura, për shkak të numrit të madh të stadiumeve në kryeqytetin anglez. Megjithatë, Khan ka thënë se kjo gjë nuk mund të ndodhë tani.

“Sadiq dëshiron shumë që Premierliga dhe sportet profesioniste të kthehen”, ka thënë një zëdhënës i tij për Evening Standard.

“Megjithatë, tani që vendi është ende duke u përballur me këtë krizë dhe qindra njerëz po vdesin çdo ditë, ai beson se është shumë herët të diskutohet për rinisjen e Premierligës dhe sportit elitar në kryeqytet”.

“Si tifoz i Liverpoolit, natyrisht që Sadiq dëshiron që Premierliga të rinisë, por kjo mund të bëhet vetëm kur të jetë e sigurt, dhe nuk duhet të jetë një barrë shtesë për stafin mjekësor dhe shërbimet emergjente”.

(Kosova Sot Online )