City lë anash rivalitetin, i del kundër gruas që e talli Rashfordin

  • 17 June 2020 - 09:57
City lë anash rivalitetin, i del kundër gruas që e talli Rashfordin

Puna e Marcus Rashfordit për t’i dhënë fund urisë së fëmijëve të varfër në Angli u shpërblye të martën, kur qeveria britanike e tërhoqi vendimin për t’iu mos ofruar fëmijëve ushqime falas gjatë pushimeve verore. Megjithatë, analistja Katie Hopkins nuk ishte e lumtur me këtë rezultat.

Katie Hopkins, e njohur për kolumnat dhe paraqitjet e saj nëpër media britanike, iu përgjigj lajmit se fëmijët e varfër do të marrin ushqime falas gjatë verës e zemëruar, pasi që projekti u kushtoi taksapaguesve mbi 100 milionë euro, përkundër që këto ushqime u jepen vetëm fëmijëve që mbeten pa ushqim nëse s’marrin nga shkolla shkaku i varfërisë.

“I dashur Marcus Rashford, a mendon se gratë duhet të mendojnë se si do ta ushqejnë një fëmijë para se të vendosin ta bëjnë një? Unë nuk dua të paguaj për t’i ushqyer fëmijët e njerëzve tjerë, ti mundesh lirisht. Faleminderit, Katie Hopkins”, shkroi ajo në Twitter.

Përdoruesit në rrjete sociale iu përgjigjën këtij postimi duke publikuar një foto të fytyrës së saj mbi Martin Demichelis, të cilin e kishte turpëruar Rashford në derbin e Mançesterit në vitin 2016.

Hopkins tentoi t’i kundërpërgjigjej kësaj fotoje të edituar duke e shpërndarë atë vetë dhe duke sugjeruar se ajo dukej tërheqëse në ngjyrën e kaltër, por Manchester City reagoi shpejt, duke i dalë në mbrojtje Rashfordit.Këtij reagimi të Cityt iu përgjigj Rashford, duke shkruar: “Një qytet i bashkuar”.

(Kosova Sot Online )