Mustafi s’e përjashton mundësinë e rikthimit në Bundesligë

  • 17 June 2020 - 13:41
Mustafi s’e përjashton mundësinë e rikthimit në Bundesligë

Qendërmbrojtësi shqiptar thotë se gjithmonë e ka konsideruar si interesant kampionatin gjerman, ku nuk e përjashton mundësinë e rikthimit, ndoshta qysh këtë verë

Shkodran Mustafi nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në Bundesligë gjatë verës që vjen, shkruan Gazeta Express.

Qendërmbrojtësi shqiptar thotë se gjithmonë kampionati gjerman ka qenë interesant për të.

Mustafi e kishte nisur karrierën në Gjermani, prej nga ishte larguar në vitin 2009 si 17 vjeçar, kur po luante për Hamburgun.

Nga ajo kohë i ishte bashkuar Evertonit, ndërsa më pas e vazhdoi karrierën në Itali me Sampdorian dhe në Spanjë me Valencian.

Në Arsenal, ai i ka zhvilluar 133 ndeshje në katër sezone me “Gunners”, përfshirë këtu edhe 40 paraqitje në sezonin e kaluar në të gjitha kompeticionet.

Kontrata e 28 vjeçarit me londinezët do të skadojë në vitin 2021, por futbollisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut është i paqartë rreth së ardhmes së tij.

Përfaqësuesi gjerman mund të largohet nga “Emirates Stadium” qysh këtë verë.

“Bundesliga gjithmonë ka qenë interesante për mua. Në aspektin sportiv, ka bërë përparim të madh. Gjithashtu, është shtëpia ime”, ka thënë Mustafi për “Sport Bild”.

“Në situatën aktuale, është e vështirë ta parashikojmë se si do të shkojë faza e transferimeve”, vazhdoi ai.

Mustafi i ka zhvilluar 18 ndeshje këtë sezon me “Topçinjtë” deri tash.

Ende nuk dihet se cilat klube gjermane kanë shprehur interesim për Mustafin, i cili e ka gjetur formën ideale me trajnerin Mikel Arteta, ndërsa paraprakisht ishte kritikuar nga tifozët për paraqitjet e tij. 

(Kosova Sot Online)