Përçarje mes Messit dhe Setien? – Reagon Simeone

  • S.A /
  • 30 qershor 2020 - 10:22
Përçarje mes Messit dhe Setien? – Reagon Simeone

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, e theksoi rëndësinë e menaxhimit të emocioneve të skuadrës nga një trajner kur u pyet për lajmet se ka një përçarje mes kapitenit dhe trajnerit të Barcelonës, Lionel Messit dhe Quique Setienit.

Barcelona do ta presë në Camp Nou Atletico Madridin e Diego Simeones të martën mes një situate të vështirë, pasi që mediumet spanjolle raportojnë se Setien dhe stafi i tij janë përçarë me lojtarët kyç të skuadrës.

Një video nga barazimi me rezultat 2:2 me Celta Vigon të shtunën u bë virale në rrjete sociale, pasi që aty shfaqej Lionel Messin teksa e injoronte ndihmës e Setien, Eder Sarabian.

Edhe pse Setien tha pas ndeshjes se është normale të ketë dallime nganjëherë, ai insistoi se skuadra është e bashkuar, duke i kundërshtuar kështu lajmet se edhe vetë trajneri s’ka më marrëdhënie të mirë me Messin.

Simeone, në konferencën për shtyp para zhvillimit të kësaj ndeshje, insistoi se ai nuk dëshiron t’i komentojë problemet e brendshme të Barcelonës, por tha se është e rëndësishme që një trajner ta menaxhojë aspektin emocional të skuadrës.

“Ju më njihni mua, unë nuk jap mendim për gjërat që po ndodhin në zhveshtoret e klubeve tjera. Unë jap mendim vetëm për klubin tonë”, ka thënë Simeone.

“Ne duhet ta mbajmë zhveshtoren tonë të mbrojtur, duhet të kujdesemi për të gjithmonë dhe gjithmonë duhet t’i menaxhojmë ndjenjat e lojtarëve, që është gjëja më e rëndësishme për një skuadër”.

“Gjëja më e rëndësishme për ta menaxhuar, në skuadrën time, është pjesa emocionale, të cilën unë e konsideroj kyçe”.

(Kosova Sot Online )