Ankohet Mourinho: Pse s’po ua bëni pyetjen e njëjtë edhe Kloppit, Guardiolës e Lampardit

  • A.P /
  • 16 July 2020 - 14:53
Ankohet Mourinho: Pse s’po ua bëni pyetjen e njëjtë edhe Kloppit, Guardiolës e Lampardit

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, është ankuar se mediat nuk po ua shtrojnë homologëve të tij, Pep Guardiolës, Jurgen Kloppit dhe Frank Lampardit, pyetjet e njëjta që po i bëhen atij.

Trajneri portugez e arriti fitoren e parë në St James’ Park të mërkurën mbrëma, kur Tottenhami e mund 3:1 Newcastle Unitedin falë dy golave nga Harry Kane dhe një nga Son Heung-min.

Pas ndeshjes, Mourinho u pyet se çfarë duhet të bëjë mesfushori Bergwijn për ta fituar vendin e titullarit në skuadrën e Spurs.

Portugezit s’i pëlqeu kjo pyetje dhe i qëndroi prapa formacionin të vet startues.

Mourinho reagoi duke u ankuar se pse trajnerëve të tjerë në Premierligë nuk u bëhet pyetja e njëjtë.

“Shikoni, kjo është një pyetje të cilën ju ma bëni mua, natyrisht, por nuk ia bëni Frank Lampardit, apo Jurgen Kloppit apo Pep Guardiolës, asnjërit trajner të klubeve të mëdha që kanë lojtarë të mëdhenj”, tha Mourinho.

“Lampard luan me Christian Pulisic titullar, por ju nuk e pyetni pse nuk luan me Callum Hudson-Odoi. Kur Guardiola luan me dike por e lë në stol Bernardo Silvan, ju kurrë s’e pyesni për Bernardo Silvan”, shtoi ai.

“Duket se unë jam i vetmi i cili duhet të luajë me 15 futbollistë prej fillimit, apo unë jam i vetmi i cili nuk duhet të ketë lojtarë të mirë në stol”. 

(Kosova Sot Online)