Silva: Guardiola e ka përmirësuar Cityn në çdo aspekt

  • S.A /
  • 24 July 2020 - 16:11
Silva: Guardiola e ka përmirësuar Cityn në çdo aspekt

Mesfushori i Manchester Cityt, David Silva, thotë se trajneri Pep Guardiola e ka përmirësuar skuadrën e Citizens në çdo aspekt dhe pozitë, nga portieri e deri te qendërsulmuesi.

Mesfushori spanjoll ka reflektuar për dhjetë vjetët e tij në klub në një intervistë të fundit, tani që po bëhet gati t’i thotë lamtumirë Manchester Cityt.

Silva do të largohet nga Manchester City në fund të  këtij sezoni, ndërsa tani i ka mbetur vetëm edhe një ndeshje për ta luajtur në Premierligë dhe edhe ndeshjet në Ligën e Kampionëve.

Ai i ka kaluar katër sezonet e fundit nën drejtimin e Guardiolës, pasi më parë ishte stërvitur në Etihad nga Roberto Mancini dhe Manuel Pellegrini. I pyetur për ndikimin e Guardiolës, ai tregoi se sa e ka shijuar periudhën si lojtar nën Guardiolën.

“Nuk e di… ai ma ndryshoi pozitën e lojës, tani kam më shumë kontakt me topin sesa që kisha më parë, kur luaja në pozitën e anësorit”, ka thënë Silva, në intervistën e dhënë për DAZN.

“Unë jam ndierë shumë rehat me të këtu, me të vërtetë”.

“Dhe pastaj, ai e ka përmirësuar skuadrën në çdo mënyrë, nga pozita e portierit e deri te pozita e qendërsulmuesit. Kjo ka bërë që skuadra të rritet shumë”.

(Kosova Sot Online )