CAS hedh poshtë apelimin e presidentit të Federatës të akuzuar për abuzim seksual, reagon FIFPro

  • S.A /
  • 29 July 2020 - 10:45
CAS hedh poshtë apelimin e presidentit të Federatës të akuzuar për abuzim seksual, reagon FIFPro

Shoqata Ndërkombëtare e Futbollistëve/eve profesionistë e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për ta hedhur poshtë apelimin e ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Afganistanit, Keramuddin Karim, i cili u dënua për keqpërdorim të pozitës për ngacmim dhe abuzim seksual të futbollisteve të ekipit kombëtar.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) vendosi më 14 korrik ta hedhë poshtë apelimin e ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Afganistanit, Keramuddin Karim, për pezullim të përjetshëm nga futbollit për abuzim seksual të futbollisteve.

CAS e arsyetoi vendimin duke thënë se paneli vlerësonte se Karim e meritoi pezullimin e përjetshëm dhe gjobën prej 934 mijë eurove që iu shqiptuan nga Komiteti Etik i FIFA-s në qershor të vitit 2019.

Në deklaratën e CAS thuhet se “Karim i ka shkelur të drejtat bazike të njerëzve  dhe dëmtoi dinjitetin fizik dhe mendor e edhe integritetin e futbollisteve të reja”.

Karim akuzohet për abuzim seksual të futbollisteve gjatë viteve 2013 dhe 2018. Edhe gjatë seancave në CAS, disa futbolliste dëshmuan kundër tij për abuzimin seksual dhe fizik që e kishin përjetuar.

“Ne i përgëzojmë lojtaret e ekipit kombëtar të Afganistanit për guximin dhe përkushtimin e tyre ndaj drejtësisë duke dhënë sërish dëshmi kundër sulmuesit të tyre, këtë herë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv”, thuhet në reagimin e FIFPro.

“Këto lojtare e kanë kaluar një rrugëtim pikëllues deri në arritjen e synimit për dënimin e presidentit të Federatës. Gatishmëria e tyre për ta ngritur zërin dhe për t’i vetëdijesuar të gjithë për të drejtat e grave në futboll dhe për t’u përballur me problemet me diskriminimit gjinor dhe abuzimit seksual në sport, do t’u ndihmojnë gjeneratave të reja të futbollistëve dhe atleteve”.

(Kosova Sot Online )