Tuchel llogarit në Icardin për çerekfinalen e Ligës së Kampionëve

  • S.A /
  • 12 August 2020 - 08:59
Tuchel llogarit në Icardin për çerekfinalen e Ligës së Kampionëve

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, ka bërë të ditur se llogarit në sulmuesin Mauro Icardi për duelin kundër Atalantas në çerekfinale të Ligës së Kampionëve

Mauro Icardi nuk arriti të shënojë në finalet e Kupës së Francës dhe Kupës së Ligës, kur Paris Saint-Germaini u kthye për ta rinisur sezonin 2019/20, në korrik.

27-vjeçari i ka shënuar 20 gola në 33 ndeshje të zhvilluara gjatë sezonit 2019/20 dhe do t’i duhet të marrë më shumë përgjegjësi në çerekfinale të mërkurën, pasi që Kylian Mbappe nuk pritet të jetë në gjendje të luajë shkaku i një lëndimi të pësuar më parë.

Trajneri i PSG-së, Tuchel, tha se Icardi do ta luajë një rol të rëndësishëm në ndeshjen e së mërkurës në Lisbonë.

“Mauro është shumë i rëndësishëm, veçanërisht me lëndimin e Kylian dhe mungesën e Edinson Cavanit. Do të jetë shumë e rëndësishme që ai ta ketë një ndeshje të mrekullueshme, ta dëshmojë karakterin e tij dhe të tregojë se mund të luftojë në ndeshjet e mëdha”, ka thënë Tuchel.

“Ai nuk frikësohet asnjëherë, gjithmonë është i gatshëm të shënojë. Ne mund të llogarisim në të, si në aspektin taktik, ashtu edhe në defansiv. Integrimi i tij në skuadër ka qenë i mrekullueshëm”.

“E dija që s’do ta kishte të vështirë të përshtatej këtu sepse kemi shumë lojtarë nga Amerika e Jugut, por ai u përshtat shumë mirë në zhveshtore. Tani është koha që ai të na kalojë në gjysmëfinale”.

(Kosova Sot Online )