FFK reagon ashpër kundër Skifterave: Djegia e flamurit grek, akt i turpshëm
Pasi ka reaguar MPJD por edhe vet SC Gjilani për djegien e flamurit grek në Prishtinë, tashmë ka reaguar edhe Federata e Futbollit e Kosovës.
Djegien e flamurit grek në Prishtinë, FFK e ka quajtur akt të turpshëm dhe të papërgjegjshëm.
“Federata e Futbollit e Kosovës e dënon fuqishëm aktin e djegies së flamurit të Greqisë në sheshin e kryeqytetit nga disa individë të pandërgjegjshëm, e që thirren në përfaqësim të një grupi të tifozëve, pas ndeshjes së mbrëmshme Gjilani – Apoel. Grupi i tifozëve “Skifterat” deri tash nuk është shquar për akte të tilla apo për dhunë, andaj edhe individët që e kanë kryer këtë akt të turpshëm besojmë që nuk kanë lidhje me këtë grup të tifozëve”, thuhet në këtë reagim.
“Njëherësh, konsiderojmë se ky akt i shëmtuar nuk ka asgjë të përbashkët me kulturën dhe idealet e popullit tonë. Çdo sjellje e tillë është në kundërshtim me vlerat tona dhe ambicien për të qenë pjesë e familjes së shteteve demokratike evropiane”.
FFK ka kërkuar nga organet e rëndit që personat që kanë djegur flamurin të vihen para drejtësisë, pasi që, sipas tyre, kjo gjë “e prish imazhin e futbollit dhe të shtetit tonë”.
“Kosova është shndërruar në storie të suksesit dhe shembull për të mirë duke iu falënderuar paraqitjeve të shkëlqyeshme të Kombëtares sonë, por edhe animit korrekt të tifozëve tanë “Dardanët” në çdo ndeshje e stadium, prandaj është e patolerueshme të lejojmë të na ndodhin akte të tilla si kjo e mbrëmshmja dhe aq më parë nga individë që veten e quajnë tifozë futbolli”, shkruan ata.
FFK po ashtu ka folur edhe për takimin e Kosovës me Greqinë, ndeshje e cila do të zhvillohet javën e ardhshme në Prishtinë në kuadër të Ligës së Kombeve.
“Pikërisht në fillim të muajit të ardhshëm Kosova do të ballafaqohet me Greqinë në kuadër të Ligës së Kombeve dhe si në çdo ndeshje tjetër, edhe këtë herë do të dëshmojmë se jemi vend i vlerave sublime dhe popull mikpritës”.
Kujtojmë se SC Gjilani u mposht në rrethin e parë te kualifikimit në Europa Ligë nga APOEL Nicosia.
(Kosova Sot Online)
