Dybala i pasigurt rreth të ardhmes

  • A.P /
  • 12 May 2026 - 11:30
Dybala i pasigurt rreth të ardhmes

Sulmuesi i Romës, Paulo Dybala ka lënë të kuptohet se “Derby della Capitale” i kësaj fundjave kundër Lazios mund të jetë paraqitja e tij e fundit në shtëpi për klubin.

Dybala, i cili iu bashkua Romës nga Juventusi në korrik 2022, ka kontratë që i skadon në fund të sezonit dhe aktualisht nuk ka bisedime për rinovim mes palëve.

32-vjeçari ka zhvilluar 138 ndeshje për “Giallorossët” në të gjitha garat, duke shënuar 45 gola dhe dhënë 25 asistime.

Sezoni 2025-26 ka qenë i vështirë për të, pasi dëmtimet – përfshirë një problem në hamstring dhe një operacion në gju – e kanë kufizuar në vetëm 25 paraqitje.

Duke folur për “Sky Italia”, Dybala tha: “E vërteta është se, do të doja ta dija edhe vetë, por klubi ende nuk më ka kontaktuar. Kontrata ime thotë se derbi mund të jetë paraqitja ime e fundit para tifozëve të Romës. Do të shohim se çka do të ndodh në fund të sezonit”.

Pavarësisht pasigurisë, ai arriti të japë një asist në fitoren dramatike 3-2 të Romës ndaj Parmas, ku goli i Donyell Malenit në minutën e 101-të i siguroi tri pikë skuadrës në “Stadio Ennio Tardini”.

Ky rezultat e mban Romën në garë të fortë për një vend në Ligën e Kampionëve, ku ajo është e barabartë me Milanin me nga 67 pikë.

Sipas modelit “Opta”, skuadra e Gian Piero Gasperinit ka rreth 47.2% shanse për t’u kualifikuar në kompeticionin elitar të UEFA-s për herë të parë që nga sezoni 2018-19.

Dybala shtoi gjithashtu se ekipi ka treguar vendosmëri për të luftuar deri në fund, edhe pse kualifikimi nuk varet vetëm nga rezultatet e tyre.

(Kosova Sot Online)