Eriksen pranë largimit nga Interi

  • A.P /
  • 30 August 2020 - 10:02
Eriksen pranë largimit nga Interi

Cristian Eriksen ishte afrimi i bujshëm i Interit në merkaton e janarit, me zikaltrit që arritën të “djegin” konkurrencën e disa klubeve europiane dhe të transferojnë në Milano fantazistin danez, që gjithsesi mund të largohet shumë shpejt nga aty.

Antonio Conte duket se nuk e miratoi asnjëherë këtë afrim dhe kjo u pa qartë edhe me hapësirat e pakta që i dha futbollistit në fushë, duke e përdorur rrallë nga minuta e parë, pavarësisht se impakti i tij ishte shpesh pozitiv, me gola, asiste e raste për gol që krijonte.

Konfirmimi i Contes në pankinë ka komplikuar pozitat e Eriksen në skuadër, pasi danezi vështirë se do të pranonte një tjetër sezon duke u nisur nga pankina dhe për këtë arsye drejtuesit e Interit po mendojnë shitjen e tij gjatë muajit shtator.

Kostoja e Eriksen mes çmimit të kartonit dhe pagesave të bonuseve ka qenë rreth 27.5 milionë euro për milanezët, që janë gati të heqin dorë nga fantazisti danez, nëse ju vjen një ofertë prej të paktën 50 milionë eurosh.

Adhuruesit e Eriksen nuk mungojnë, kryesisht në kampionatin anglez, ndërsa mediat në Itali konfirmojnë se disa ndërmjetësues kanë nisur punën për të rikthyer futbollistin në Premier League, aty ku edhe spikati me fanellën e Tottenham.

(Kosova Sot Online)