“Barcelona fiton, Messi humb”

  • 30 August 2020 - 17:58
“Barcelona fiton, Messi humb”

Komplikohet edhe më shumë situata mes Lionel Messit dhe Barcelonës. La Liga ka konfirmuar se në rast se Lionel Andres Messi vendos të largohet para kohe me vendim të njëanshëm, atëherë rruga e vetme është duke paguar 700 milionë euro, kaluzolën e tij.

Messi e tronditi Barcelonën të martën duke e dorëzuar në klub një kërkesë, e njohur në Spanjë si burfox, për ta kërkuar largimin nga klubi si lojtar i lirë dhe sot nuk u paraqit për ta bërë testin e PCR-së për koronavirus.

Por, edhe pse mendon se ai ka të drejtë të largohet si lojtar i lirë, LA LIGA zyrtarisht e ka tronditur atë dhe avokatët e tij, duke ua rikujtuar se ka kontratë valide me Barcelonën dhe mënyra e vetme për t’u larguar në Camp Nou, gjithmonë nëse është me vendim të njëanshëm, duhet të paguajë 700 milionë euro.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe gazetari i njohur në Spanjë, Joseph Pedrerol, i cili ka shënuar në “Twitter”: “Barcelona fiton, Messi humb”.

33-vjeçari ka kontratë me Barcelonën deri në qershor të vitit 2021, por argumenti avokatëve të tij është se ai mund të largohet si lojtar i lirë në përputhje me një klauzolë lirimi në marrëveshjen e tij me klubin që ia mundëson atij të largohet pa asnjë qindarkë.

Por ajo klauzolë mund të aktivizohet nga Messi vetëm në një periudhë të caktuar kohore, mars-maj.

Dhe meqë sezoni 2019/20 u shty deri në fund të gushtit, për shkak të pandemisë koronavirus, avokatët e Messit argumentojnë se edhe afati i klauzolës së tij duhet të shtyhet, gjë që kundërshtohet nga Barcelona.

Barcelona nuk ka dashur as të pranojë të flasë për largimin e Messit dhe është e gatshme të heqë dorë nga ai vetëm nëse paguhet klauzola e tij në vlerë 700 milionë euro. La Liga ka vendosur që Barcelona ka të drejtë dhe se mënyra e vetme që Messi të largohet është përmes klauzolës 700 milionë eurosh. 

(Kosova Sot Online)