Drita e mposht Trepçën ’89, e vazhdon ecurinë e përkryer

  • G.G /
  • 14 October 2020 - 16:19
Drita e mposht Trepçën ’89, e vazhdon ecurinë e përkryer

Drita e ka mundur 1:0 Trepçën ’89, në një ndeshje të mbetur të Superligës, duke e vazhduar ecurinë e përkryer të fitoreve në përpjekje për ta mbrojtur titullin.

Betim Haxhimusa e shënoi atë që ishte goli i tri pikëve të radhës për Dritën në Stadiumin e Qytetit në Gjilan të mërkurën.

Kjo ishte një ndeshje e mbetur nga java e dytë, kur Drita ishte e zënë në kualifikime për Ligën e Evropës.

Haxhimusa, i futur në lojë nga stoli, shënoi me kokë pas një pasimi nga Kastriot Rexha në minutën e 58-të.

Kampionia në fuqi e mbizotëroi plotësisht skuadrën mitrovicase, por dështoi t’i shfrytëzojë rastet e shumta.

Bardhekaltrit e qëlluan shtyllën dy herë, në pjesën e parë me Vucaj dhe pastaj në minutën e 66, kur Kastriot Rexha e qëlloi atë pas një goditjeje me kokë.

Rasti më i mirë për skuadrën e Trepçës’89 ishte në minutën e 52, Muja e kaloi pothuajse të gjithë skuadrën e Dritës dhe ia pasoi topin Bismarck, por Maloku ishte në vend dhe priti goditjen e tij.

Haxhimusa ka mundur ta dyfishonte epërsinë e Dritës me golin e dytë personal në këtë takim tre minuta para fundit kur u gjend përballë portierit, por goditja e tij shkoi lart mbi portë.

Kampioni në fuqi në tri xhiro të zhvilluara ka gjithsej nënte pikë dhe ngrihet në pozitën e dytë me dy ndeshje më pak të zhvilluara.

Ndërsa mitrovicasit janë në pozitën e pestë me gjithsej gjashtë pikë të grumbulluara ku kanë vetëm dy fitore dhe tri humbje në pesë ndeshjet e zhvilluara.

Ndërsa të dielën do të zhvillohet derbi lokal Drita – Gjilani, ndeshja do të luhet në ora 13:30 në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, pa praninë e tifozëve në stadium.

Në tri ndeshjet e fundit të zhvilluara në mes Dritës dhe Gjilanit, dy ndeshje të fituara nga skuadra e dritës ndërsa ndeshja e fundit është fituar nga skuadra e Gjilanit me rezultat 2:0.

(Kosova Sot Online)