Zidane e konfirmon të ardhmen e Ramosit

  • S.A /
  • 04 November 2020 - 15:20
Zidane e konfirmon të ardhmen e Ramosit

Zinedine Zidane nuk ka asnjë dyshim se Sergio Ramos do të qëndrojë te Real Madridi, pasi mbrojtësi me përvojë të gjatë arriti një shifër tjetër historike me golin e tij të 100-të për klubin e bardhë.

Ai ishte protagonist kryesor edhe në fitoren e mbrëmshme 3-2 ndaj Interit, në superndeshjen e Ligës së Kampionëve.

Ky moment i rëndësishëm i Ramos erdhi në të njëjtën ditë kur lidhej me një lëvizje drejt Juventusit, por Zidane është i bindur se kapiteni i tij nuk do të shkojë askund: “Nuk kam dyshime se ai do të qëndrojë. Ramos është udhëheqësi ynë dhe natyrisht që e duam atë përgjithmonë”.

Sergio Ramos u bashkua me Real Madridin nga Sevilla më 2005 dhe bëri paraqitjet e tij të 500-të në La Liga gjatë fitores 4-1 të fundjavës së kaluar, ndaj Huesca. Nga 100 golat e tij me fanellën e bardhë, 55 kanë ardhur me kokë.

Kapiteni pranon se ndihet krenar që u bë “një shekull” pikërisht ndaj Interit: “Sa më shumë të vazhdojmë t’i befasojmë rivalët tanë, aq më mirë. Ata e dinë se çfarë po bëjnë, kanë një filozofi shumë të përcaktuar dhe e shfrytëzuan më së miri atë. Ndaj Interit është një rezultat i mirë. Morëm tri pikë të çmuara në një grup që kishte filluar të dukej i komplikuar për ne”.

I pyetur në lidhje me arritjen e një numri treshifror golash me Real Madridin, Ramos shtoi: “Nuk është keq, më bën krenar. Nuk është diçka, që zakonisht e arrijnë mbrojtësit. Shpresoj se do të ketë shumë më tepër gola se kaq”.

(Kosova Sot Online )