Fitore me goleadë e Llapit ndaj Trepçës ‘89

  • S.A /
  • 10 November 2020 - 15:35
Fitore me goleadë e Llapit ndaj Trepçës ‘89

Skuadra e Llapit ka regjistruar fitore të thellë (5-0) dhe shumë të rëndësishme përballë Trepçës ’89 në ndeshjen e xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në futboll që u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Vendasit e nisën furishëm takimin duke e zhbllokuar rezultatin që në minutën e 19-të me golin e Edon Sadriut, i cili përfitoi nga një gabim i portierit mysafir.

Muhamed Hyseni e dyfishoi epërsinë (43’), kurse Sadriu me golin e dytë personal (44’) bëri që skuadra e tij të shkonte në pushim me epërsi prej 3-0.

Nikoqirët nuk u ndalën me kaq. Ata shënuan edhe në gjysmën e dytë. Pas një harkimi nga Gentrit Begolli, Elvis Prençi realizoi me kokë golin e katërt (64’).

 

Një gol me kokë e shënoi edhe Adonis Aliu (88’) për ta vendosur rezultatin përfundimtar të takimit.

Kjo ishte vetëm fitorja e dytë e Llapit pas 11 ndeshjesh të zhvilluara këtë edicion, ndërsa numëron tetë pikë dhe është ngjitur në pozitën e parafundit në tabelë, me dy pikë më shumë se Besa që tash pozicionohet në fund.

Për Trepçën ’89 kjo ishte humbja e gjashtë sezonale dhe me 14 pikë qëndron në vend të gjashtë në tabelë. 

(Kosova Sot Online )