“E doja patjetër te Reali, Modric është i veçantë”

  • A.P /
  • 25 March 2021 - 19:09
“E doja patjetër te Reali, Modric është i veçantë”

Jose Mourinho pas shumë vitesh, ka folur për transferimin e Luka Modric në vitin 2012 nga Tottenhami.

“Special One”, që drejtoi Real Madrid në vitet 2010-2013 dhe vetëm sezonin e fundit punoi me mesfushorin kroat, i ka thurur elozhe fituesit të ‘Topit të Artë”.

Modric tashmë është shndërruar në njërin prej futbollistëve më të mirë në histori të Real Madridit, dhe në përgjithësi.

“Kam insistuar shumë që të merrja Luka Modric te Real Madrid. Ai zotëronte gjithçka për të cilën kishim nevojë: teknikë, vizion dhe aftësi për të lexuar lojën, cilësi në marrjen e vendimeve, shpejtësi mendimi, top i gjatë dhe asiste”, u shpreh Mourinho.

“Ai dinte të bënte presing, ishte inteligjent, pozicionohej mirë në fushë dhe luante me intensitet të lartë. Ne kishim nevojë për një lojtar me gjithë këto cilësi. Luka është një tip që kontrollohet lehtë dhe ka siguri të madhe”.

“Ai e mësoi shumë shpejt se çfarë përfaqësonte Real Madrid, kuptoi madhështinë e klubit dhe objektivat. Ai është një punëtor dhe profesionist i madh, bën një jetë të qetë, e shijon familjen e tij dhe ka besim të madh te vetja”.

“Në të njëjtën kohë, ai është edhe shumë modest”.

“Me cilin e krahasoj? Luka Modric ka fituar Topin e Artë, nuk është i krahasueshëm me asnjë lojtar tjetër”, deklaroi trajneri portugez.

Luka Modric, tashmë 35-vjeçar, po luan sezonin e nëntë me fanellën e Realit.

Deri tani, ai ka bërë 379 paraqitje, ka shënuar 26 gola dhe ka dhuruar shumë asiste.

Luka ka fituar mbi 10 trofe me Realin, përfshirë katër herë Ligën e Kampionëve (2014, 2016, 2017, 2018). 

(Kosova Sot Online)