Ambasada e Zvicrës në Kosovë: Jemi krenarë me diversitetin në Kombëtare

  • S.A /
  • 29 June 2021 - 09:47
Ambasada e Zvicrës në Kosovë: Jemi krenarë me diversitetin në Kombëtare

Ambasada e Zvicrës në Kosovë është shprehur krenare me diversitetin brenda ekipit kombëtar zviceran, pasi Zvicra arriti në çerekfinale të Kampionatit Evropian për herë të parë duke e mposhtur ekipin favorit për ta fituar Euro 2020, Francën.

Zvicra, e cila përbëhet nga lojtarë me prejardhje nga vende të ndryshme të botës, përfshirë nga Kosova, do të luajë në një çerekfinale të Euro për herë të parë në historinë e ekipit të vet kombëtar.

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri luajtën titullarë, ndërsa Admir Mehmedit u fut në lojë nga stoli dhe ishte në mesin e pesë lojtarëve që shënuan nga penalltia për Zvicrën.

Pas një betejë të zjarrtë 3:3 gjatë 120 minutave lojë, Yann Sommer e mbrojti penalltinë e Kylian Mbappes dhe ia siguroi Zvicrës triumfin 5:4 në penallti. Dhe, me këtë fitore, Zvicra e rrëzoi kampionen e Botës 2018 dhe favoritin kryesor të Euro 2020, për ta përcaktuar një duel çerekfinal me Spanjën të premten. Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada e Zvicrës në Prishtinë shkroi: “Zvicra është krenare me diversitetin e vet! Rezultati më i mirë në një Kampionat Evropian për Zvicrën”. Ajo e nënvizoi edhe faktin se mesfushori nga Podujeva, Granit Xhaka, u zgjodh lojtari i ndeshjes, si dhe e falënderoi Kosovën për përkrahjen. “UEFA e shpërblen Granit Xhakën me çmimin lojtari i ndeshjes. Faleminderit Kosovën për përkrahjen!” Kjo ishte ndeshja e dytë në të cilën kontributi i kosovarëve në ekipin zviceran ishte vendimtar për përparimin e tij në Euro 2020.

Para se Xhaka ta bënte paraqitjen jetësore kundër Francës si një lider i vërtetë, Xherdan Shaqiri ishte siguruar për ta dërguar Zvicrën në fazën e eliminimit direkt me dy golat e tij në triumfit vendimtar 3:1 kundër Turqisë në ndeshjen e fundit në Grupin A.

Tani Zvicra do ta kërkojë gjysmëfinalen në takimin e së premtes me Spanjën.https://www.facebook.com/SwissEmbassyPristina/photos/a.1616468605038250/4409861899032226/?type=3

 

(Kosova Sot Online  )