Witsel: S’do të jetë e lehtë ta ndalim Italinë

  • S.A /
  • 02 July 2021 - 09:14
Witsel: S’do të jetë e lehtë ta ndalim Italinë

Mesfushori belg e ka analizuar ndeshjen e sontme ndaj Italisë. 32 vjeçari shpreh respekt maksimal për “Azzurrët” dhe thotë se atë me shokë i pret sonte një lojë mjaft e vështirë. Witsel shpreson në riaftësimin me kohë të Hazard e De Bruyne

Italia dhe Belgjika do të përballen sonte në stadiumin “Allianz Arena” në Munich në ndeshjen çerekfinale të “Euro 2020”. Trajneri Roberto Mancini do ta ketë krejt skuadrën në dispozicion, derisa De Bruyne e Hazard janë në dyshim tek Belgjika. “Ata (Hazard e De Bruyne) po ndihen më mirë, ne jemi optimistë. Ne do ta shohim në ditën e lojës nëse do të mundë të luajnë apo jo. Ata janë dy lojtarë të mëdhenj, kështu që shpresojmë që t’ia dalin”, deklaroi Witsel në konferencë për shtyp.

“Italia i ka Jorginhon, Verrattin dhe shumë lojtarë të tjerë kualitativë. Ata po bëjnë lojëra të mira dhe e imagjinoj se do të jetë një lojë e bukur. Ne do të mundohemi të jemi të gatshëm”, vazhdoi 32 vjeçari. “Ata duan ta mbajnë topin në posedim dhe të sulmojnë në hapësira. Do të jetë një lojë e komplikuar për ne në mes të fushës. Ata e kanë një mesfushë mjaft të fortë, kështu që ne duhet të adaptohemi. Por, e njëjta vlen edhe për ta. Ne duhet të mbetemi të fokusuar për 90 minuta, jo siç bëmë kundër Portugalisë, kur dukeshim si të fjetur në minutat e fundit”, nënvizoi mesfushori belg.

“Italia luan mjaft bukur, më pëlqen stili i tyre. Nuk do të jetë e lehtë t’i ndalim. Nuk guxojmë t’i bëjmë gabimet e njëjta siç i bëmë kundër Portugalisë”, përfundoi Witsel, i cili ishte afër t’i bashkohej Juventusit në verën e vitit 2016, pro në fund shkoi në Zenit në janarin pasues. Ndeshja ndërmjet Italisë dhe Belgjikës do të luhet sonte duke filluar nga ora 21:00. 

(Kosova Sot Online )