Nuk është aspak e lehtë ta menaxhosh Ronaldon, thotë Sarri

  • S.A /
  • 06 July 2021 - 15:50
Nuk është aspak e lehtë ta menaxhosh Ronaldon, thotë Sarri

Trajneri i Lazios, Maurizio Sarri, ka thënë se nuk është aspak e thjeshtë ta menaxhosh Cristiano Ronaldon, të cilin e pati nën urdhrat e veta gjatë kohës së kaluar në krye të Juventusit. Sarri e kishte zëvendësuar Massimiliano Allegrin në postin e trajnerit të Juventusit në verën e vitit 2019 dhe, megjithëse e fitoi titullin në Serie A, ai u shkarkua menjëherë pasi skuadra u eliminua nga Liga e Kampionëve pas humbjes kundër Lyonit në 1/8 e finales.

Ronaldo e mbaroi sezonin me 30 gola në Serie A – më së shumti gjatë kohës së tij në Itali – dhe Sarri tregoi se nuk e kishte të lehtë ta menaxhonte portugezin, pavarësisht statistikave mbresëlënëse të tij. “Nuk është e thjeshtë ta menaxhosh Ronaldon, nga çdo pikëpamje”, tha Sarri për Sport Italia.“Ai është sikur një kompani shumëkombëshe, ka interesa personale të cilat patjetër duhet të përkojnë me futbollin. Interesat e tij janë përtej normales, përtej ekipit apo klubit. Unë jam trajner jo menaxher. Megjithatë, Ronaldo flet me numra në fund të vitit”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )