Zidane s’do të ulet në stolin e Francës në Kupën e Botës

  • A.P /
  • 08 July 2021 - 21:05
Zidane s’do të ulet në stolin e Francës në Kupën e Botës

As Didier Deschamps e as Roberto Martinez s’do të largohen nga Franca, respektivisht Belgjika. Zidane duhet të presë ende që të ulet në stolin e “Gjelave”.

Zhgënjimi më i madh në Euro 2020 do të mbetet padyshim Franca e Didier Deschamps, që erdhi në këtë kompeticion me kurorën e “mbretëreshës së botës”, për që u largua në fazën e 1/8-ave, pasi u eliminua nga Zvicra.

Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet, hodhi dyshime mbi të ardhmen e Didier Deschamps, por tani që kanë kaluar disa ditë nga eliminimi u bujshëm, ka vendosur të konfirmojë teknikun deri në fund të Kupës së Botës Katar 2022.

Kjo do të thotë se Zinedine Zidane ende duhet të presë.

“Çështja u zgjidh në tre minuta bisedë dhe Deschamps do të jetë trajneri i Francës në Kupën e Botës Katar 2022. Ai kishte shumë dëshirë të vazhdonte punën dhe unë gjithashtu ta konfirmoja, ndaj tani na mbetet të tregojmë në fushë, se morëm vendimin e duhur”, tha Le Graet.

Edhe Belgjika me gjeneratën e artë pati zhgënjim në Euro 2020, por Roberto Martinez do të vazhdojë të ulet në stol.

Tekniku spanjoll ka kontratë me “djajtë e kuq” të Europës deri në fund të Kupës së Botës Katar 2022 dhe në një intervistë për mediat katalane zbuloi se ka marrë konfirmimin nga federata Belge për të vijuar punën dhe se po mendon për pjesën e mbetur të eliminatoreve dhe për “Final Four”-in e Ligës së Kombeve. 

(Kosova Sot Online)