11 ekipet shqiptare eliminohen nga garat e Europës

  • A.P /
  • 12 August 2021 - 22:48
11 ekipet shqiptare eliminohen nga garat e Europës

Me eliminimin e FC Prishtinës, Laçit dhe Teutës së Durrësit është kompletuar 11-ja e skuadrave të eliminuara nga garat europiane këtë sezon.

FC Prishtina, FC Drita, FC Llapi nga Kosova; FC Teuta Durrës, Vllaznia, Partizani dhe Laçi nga Shqipëria; FC Shkëndija, FC Shkupi dhe FC Struga nga Maqedonia e Veriut si dhe Deçic nga Mali i Zi ishin shqiptarët të cilët sivjet do të garonin në gara europiane, ku tri prej skuadrave ishin në garë fillimisht në Ligën e Kampionëve dhe mandej në garën e re të UEFA-së, Europa Konferencë Ligë.

FC Llapi, FC Struga dhe Deçic ishin ekipet e para që u eliminuan në këtë garë. FC Llapi ishte eliminuar nga ekipi shqiptar Shkupi kurse Deçic nga një ekip tjetër shqiptar, Drita e Gjilanit.

Në anën tjetër FC Prishtina pasi që kaloi rrethin paraeliminator në Ligën e Kampionëve u eliminua nga Ferencvaros në rrethin e parë për të luajtur në rrethin e dytë të Konferencë Ligë. Ata fituan kundër Connah’s Quay Nomads në rrethin e dytë të kësaj lige por u eliminuan në rrethin e tretë sonte kundër kampionit të Norvegjisë, Bodo/Glimt.

Në anën tjetër kampioni i Shqipërisë, Teuta kishte një paraqitje më të keqe se të Prishtinës në Europë këtë vit duke u eliminuar nga Shamrock Rovers sonte, një ekip me një vlerë pothuajse të kampionit shqiptar. Ata në Ligën e Kampionëve në rrethin e parë ishin eliminuar nga Sheriff Tiraspoli. Sonte ata humbën nga Shamrock në shtëpi me rezultat 0-2 duke u eliminuar edhe nga Konferencë Liga.

Paraqitje tepër të dobët këtë sezon në Europë pati edhe kampioni i Maqedonisë Veriore, Shkëndija e Tetotëve. Shkëndija u deklasua nga kampioni i Sllovenisë Mura me rezultat të përgjithshëm 6-0 kurse Shkëndija ishte e dobët edhe në rrethin e dytë të Konferencë Ligës ku u eliminua nga ekipi modest i Estonisë Riga me rezultat të përgjithshëm 3-0.

Paraqitje tepër të mirë në Europë këtë sezon pati edhe nënkampioni Drita të cilët arritën që ta kalojnë skuadrën shqiptare nga Mali i Zi, Deçiç në rrethin e parë të Konferencë Ligës. Por, gjilanasit ishin shumë të pafat në ndeshjen e dytë me shortin. Ata u përballën me gjigantin holandez Feynord të cilët mezi arritën që ta mposhtin skuadrën kosovare. Drita kishte arritur të jetë në epërsi në Holandë deri në 15 minutat e fundit të ndeshjes por që në fund holandezët shënuan edhe dy gola për të kaluar tutje në fazën e tretë të Konferencë Ligës.

Njëra prej skuadrave me paraqitjen më të mirë të shqiptarëve në Europë. Të pa fat në short, por Laçi fillimisht e eliminoi Podgoricën e Malit të Zi në rrethin e parë dhe mandej Universitatea Craiova në rrethin e dytë. Në rrethin e tretë ata patën punë të vështirë me skuadrën e njohur të Anderlechtit nga Belgjika ku sonte humbën me rezultat 2-1. Goli i parë në këtë ndeshje erdhi në minutën e 32-të nga Amuzu kurse Verschaeren shënoi në të 72-të. Lushkja shënoi për Laçin në minutën e 85, duke ngushtuar kështu epërsinë. Andelecht e fitoi këtë ndeshje me rezultat të përgjithshëm 5-1.

Partizani dhe Vllaznia po ashtu u eliminuan në fazën e dytë të Konferencë Ligës. Në fazën e parë ata fituan kundër Sfîntul Gheorghe përkatësisht Siroki Brijeg por në rrethin e dytë humbën nga Basel përkatësisht AEL Limasoll.

Kështu, nga 11 skuadra shqiptare sa garonin sivjet në garat europiane asnjë nuk ia ka arritur që të kalojë në play-off për të synuar grupet.

Por, paraqitja e ekipeve kosovare ishte mbresëlënëse sivjet, kështu që vitin tjetër pritet që nga Kosova të luajnë në gara europiane 4 ekipe nga Superliga e Kosovës. 

(Kosova Sot Online)