Pamje: Goli i parë i Fatit me numrin 10 në fanellën e Barcelonës

  • S.A /
  • 27 September 2021 - 09:30
Pamje: Goli i parë i Fatit me numrin 10 në fanellën e Barcelonës

Ansu Fati shënoi gol për Barcelonën në ndeshjen e parë pas rikthimit nga lëndimi si pasojë e të cilit mungoi plot 10 muaj.

Sulmuesi 18-vjeçar mungoi që nga nëntori i kaluar, pasi e kishte lënduar rëndë gjurin e majtë gjatë një ndeshje kundër Real Betisit.

Përfaqësuesi i Spanjës u fut në lojë nga stoli në vend të sulmuesit Luuk de Jong rreth 10 minuta para fundit të ndeshjes dhe shënoi gol të bukur në fitoren e thellë të Barçës 3:0 kundër Levantes të dielën në La Liga.

Ky ishte goli i parë i Fatit me fanellën me numrin 10, të cilën për më shumë se një dekadë e barti i madhi Lionel Messi.

Pas ndeshjes, Fati tha se ndihet krenar që do ta bartë fanellën me numrin 10.

“Nuk e parafytyroja një rikthim të tillë. Këtu duhet të fitosh gjithmonë. Jam i lumtur me fitoren. Ne jemi Barça dhe ne duhet të luftojmë për gjithçka”, tha Fati.

Në lidhje me numrin e ri në fanelle, ai shtoi: “Për mua numri 10 nuk është burim i presionit, është burim i krenarisë. E falënderoj klubin dhe kapitenët që ma dhanë mundësinë ta vesh atë. nuk është presion, është mirënjohje”. 

https://tiger.cdnja.co/v/pj/PJBBE.mp4?secure=lTA0nwzdwfsa8Z1NcBd8zA&expires=1632731400

(Kosova Sot Online )