Kosova e talentëve bëhet me trajner të ri pas botërorit

  • G.G /
  • 15 October 2021 - 19:02
Kosova e talentëve bëhet me trajner të ri pas botërorit

Ish trajneri, Bernard Challandes nuk do të jetë më në stolin e Kosovës. Ky lajm për shkarkimin e tij u bë i ditur vetëm pak ditë më parë, derisa largimi i tij nga nga pozita e trajnerit të kombëtares së Kosovës ishte mjaft i zëshëm, shkruan.

E tashmë, Federata e Futbollit të Kosovës  është në kërkim të trajnerëve që do të ia besojnë ekipin kombëtar në garat për kualifikim në kampionatin evropian të 2024.

Që nga momenti i shkarkimit të Challandes, pashmangshëm kanë nisur të lakohen edhe shumë emra për pasuesin e tij.

Roberto Carlos, Felix Magath, Giani De Biassi, Primoz Gliha , Besnik Hasi janë vetëm disa prej emrave që qarkulluan në media për zëvëndësimin e Challandes.

Megjithatë, Syri.net Kosova ka kontaktuar me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) në në lidhje me emërimin e trajnerit të ri për Kombëtaren e Kosovës, të cilët thonë se ende nuk e kanë emrin.

FFK tutje shton  përzgjedhja e selektorit nuk duhet të bëhet me nxitim, derisa deklarojnë se po presin të përfundoj edhe cikli i botërorit, pastaj të flitet për trajnerin e ri.

“FFK përkatësisht presidenti Ademi është duke punuar për të sjellë në kombëtare emrin ideal I cili do t’a udhëheqë Kosovën drejt sukseseve. Aktualisht nuk mund të flasim për emër sepse nuk e kemi atë. Ne po përfitojmë nga koha dhe po mundohemi të bëjmë zgjedhjen më të mirë të mundshme. Presidenti Ademi më shumë se gjithqka tjetër dëshiron suksesin e Kosovës, prandaj përzgjedhja e selektorit nuk duhet të bëhet me nxitim. Le të përfundoj cikli I botërorit pastaj flasim edhe për trajnerin e Kosovës”, thuhet në përgjigjien e FFK-së.

Ndërkaq sipas profesorit, Bylbyl Sokoli, në bazë të raportimeve thotë se favoriti kryesor është Felix Magat, derisa sipas tij, në kombinim duhet të jenë edhe Besnik Hasi dhe Ardian Kozniku.

“Felix Magat është favoriti kryesor… Në kombinim duhet të jenë, Besnik Hasi dhe Ardian Kozniku edhe pse nuk e di statusin e tyre rreth angazhimit (a kanë kontratë me ndonjë klub)”, shprehet Sokoli për Syrin.

Ai shprehet se nga trajneri i ri pret që të vendos rend dhe të krijojë ambient të mire në grup.

“Nga përzgjedhësi i ri pres me vu rend , diciplinë me kriju ambient të mirë në grup dhe ta kontrolloj grupin e lojtarëve!”, nënvizoi ai.

Edhe gazetari i njohur i sportit, Dukagjin Rudari në një prononcim të shkurtër për Syrin, shprehet se Kosovës i duhet një trajner i cili do ti mbuloj lëshimet e trajnerit Bernard Challandes dhe i cili do ta mbajë të bashkuar grupin e lojtarëve.

“Sa i përket shkarkimit të trajnerit Bernard Challandes, është dashur të veprohet qysh pas ndeshjes me Maqedoninë e Veriut, megjithatë ky vendim besoj se ishte i nevojshëm nga ana e FFK-së edhe tani. Sa i përket zgjedhjes së trajnerit të ri, besoj se na duhet një trajner i cili do ti mbuloj lëshimet e trajnerit Bernard Challandes dhe I cili do ta mbajë të bashkuar grupin e lojtarëve”.

Ndërkaq, sa i përket emrit që do duhej ta përfaqësonte Kosovës, Rudari përparësi i jep Primoz Gliha, pasi sipas tij, e njeh më mirë se të tjerët mentalitetin e ekipit kosovar.

“Personalisht besoj se na duhet trajner i cili e njeh mentalitetin e lojtarëve të Kosovës. Në të kundërtën ndërrimi i trajnerit nuk do të zgjedhë asgjë Perparesi prej te gjithe emrave i kisha dhane Primoz Gliha i cili e njeh me mire se te tjeret mentalitetin e ekipit Kosovar”, thotë Rudari.

Gjersa shton se të gjithë emrat që kanë dalë në media deri më sot nuk janë zyrtarë dhe FFK sigurisht duhet ta shohë edhe pjesën financiare pasi secili nga  emrat e përmendur ka kosto më të lartë se Bernard Challandes. 

Kujtojmë se emërimi i trajnerit të ri do të jetë emërimi i parë që do të bëhet nga presidenti  i FFK-së, Agim Ademi, pasi që Challandes ishte emëruar më 2 mars të vitit 2018, nga i ndjeri Fadil Vokrri.

Bernard Challandes e drejtoi ekipin kombëtar të Kosovës në 40 ndeshje, duke i shënuar 17 fitore, 15 humbje dhe tetë barazime.

(Kosova Sot Online)