E zbulon analisti: Ja çka do të ndodhë nëse VV vendos që ta bëjë një koalicion me LDK-në

E zbulon analisti: Ja çka do të ndodhë nëse VV vendos që ta bëjë një koalicion me LDK-në
E zbulon analisti: Ja çka do të ndodhë nëse VV vendos që ta bëjë një koalicion me LDK-në

Nue Oroshi

  • 11 June 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Zgjedhjet e mbajtura në Republikën e Kosovës më 7 qershor 2026 i treguan dy gjëra: Njëra është bojkoti që ua bënë qytetarët partive politike në Kosovë, ku me një fjalë u dhanë një ndëshkim për shkak të mosbashkëpunimit të partive shqiptare në mes vete për të themeluar institucionet e Republikës së Kosovës. E dyta, ata që dolën për të votuar u treguan syçelë dhe asnjë parti nuk e votuan që ta ketë shumicën për t’i themeluar institucionet e vetme, madje as Qeverinë. Këto dy gjëra duhet t’u tregojnë partive politike shqiptare se institucionet krijohen vetëm me bashkëpunim me njëra-tjetrën dhe në demokraci nuk ka dominim si në komunizëm, por as nuk duhet të mbahet inati ndaj njëri-tjetrit.

 

-Edhe kandidaturat për president apo presidente duhet të paraqiten përmes një marrëveshjeje që mund ta bëjnë dy apo më shumë parti politike, në mënyrë që institucionet të themelohen komplet dhe Kosova të ecë përpara. Në këtë mënyrë, partisë që ka fituar 43 për qind të zgjedhjeve, VV-së, i takon që t’i thërrasë tri partitë e tjera, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, dhe t’u propozojë një bashkëpunim për t’i themeluar institucionet e Kosovës.

Në bazë të rezultateve, për t’u zgjedhur Presidenti duhet që së bashku dy parti shqiptare të bëjnë koalicion dhe, së bashku me votat e minoriteteve joserbe, ta zgjedhin Presidentin apo Presidenten e Kosovës. Edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, që tash i ka prirë listës së LDK-së dhe ka dalë partia e tretë, duhet të presë mënyrën se si do të krijohen institucionet.

Nëse VV vendos që ta bëjë një koalicion me LDK-në, atëherë LDK duhet të paraqesë një kandidat të vetin për president, si dhe të tjerët për ministra. Kjo e gjitha duhet të bëhet në bazë të fuqisë elektorale që ka fituar LDK-ja. Por, nëse vendoset që VV të shkojë në koalicion me PDK-në, atëherë LDK-ja mbetet në opozitë dhe Presidenti apo Presidentja vjen nga PDK-ja.

Kështu janë rregullat e demokracisë dhe ato duhet të zbatohen. E rëndësishme është që të kemi institucione dhe Kosova të mos stagnojë në shumë punë që e presin, qoftë në nivel të brendshëm, qoftë në nivel të jashtëm.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".