“Doktori”, para garës së fundit në karrierë: Nga e hëna, jetë e re

  • A.P /
  • 11 November 2021 - 18:53
“Doktori”, para garës së fundit në karrierë: Nga e hëna, jetë e re

“Ishte një sezon i veçantë, veçanërisht pasi kuptova se do të ishte i fundit. Në garat e fundit u përpoqa të garoja normalisht, por nuk ishte e mundur.

Të shohësh të gjithë motorët e mi dhe të gjithë pilotët, së bashku, të jep një ndjesi të veçantë. Do të mundohem të jap maksimumin gjatë kësaj fundjave. Shpresoj të kaloj mirë sidomos të dielën”.

Këto janë fjalët e Valentino Rossit, në një konferencë për shtyp, në prag të Çmimit të Madh të Valencias, i 18-ti dhe i fundit për këtë sezon në MotoGP. Për “Doktorin, ndërkohë, do të jetë gara e fundit në karrierën e gjatë dhe tepër të suksesshme 26-vjeçare.

 “U përpoqa të përballoja gjithçka në një mënyrë normale. Gara e Valencias është një moment i mirë për të gjithë, por është e qartë se jeta ime do të jetë ndryshe nga e hëna. Do të vazhdoj të garoj dhe të jem pilot i makinave, kështu që do të përpiqem të argëtohem, por është e qartë se jeta ime do të ndryshojë.

Trashëgimia e Valentinos

“Për çfarë do të doja të më kujtonin? Gjëja më pozitive në karrierën time është se shumë njerëz kanë filluar MotoGP për të më ndjekur mua. Ky sport është bërë më i famshëm në Itali dhe në mbarë botën. Gjatë kësaj karriere u bëra një lloj ikone dhe për mua ishte një kënaqësi e madhe”.

Momenti më i keq

“Momenti më i keq ishte kur vendosa të largohesha. Tani po mendoj se çfarë do të bëj në vitin 2022. Rreth qershorit ishte e vështirë, nëse do të kisha qenë më konkurrues, ndoshta do të kisha vazhduar, por m’u desh të ndalesha, ishte një periudhë e vështirë. Tani ndihem shumë mirë, përpiqem të qëndroj i fokusuar në garë, të jap maksimumin. Për pjesën tjetër, ndihem shumë mirë.

(Kosova Sot Online)