Fatkeqësia e Sergio Ramos në Paris Saint-Germain

  • A.P /
  • 11 January 2022 - 22:50
Fatkeqësia e Sergio Ramos në Paris Saint-Germain

Deri më sot, qendërmbrojtësi është thirrur në vetëm tre ndeshje me PSG-në, duke luajtur një si titullar, një tjetër si zëvendësues dhe në të fundit pa luajtur asnjë minutë

Sergio Ramos nuk po ka kontinuitet pas kalimit në Paris. Mbrojtësi andaluzian e ka nisur vitin në mënyrë të ngjashme me atë që përfundoi më 2021, pra pa minuta të luajtura.

 Këtë të diel, PSG barazoi 1-1 kundër Lyonit ku Pochettino zgjodhi të rreshtonte Marquinhos dhe Kimpembe si qendërmbrojtëse, duke e lënë reprezentuesin spanjoll  përsëri në stol.

“Mirë, ky ishte vendimi i imë. Ne luajmë me katër mbrojtës. Ka shumë konkurrencë për të gjitha pozitat. Shpresoj të luaj ndeshjet e radhës. Vendimi ishte të luanim me Marquinhos dhe Kimpembe si qendërmbrojtës”, theksoi trajneri argjentinas në një konferencë për shtyp, duke e paralajmëruar qendërmbrojtësin i cili po ashtu nuk luajti në kupë kundër Vannes në fillim të vitit.

Deri më sot, Sergio Ramos është thirrur në vetëm tre ndeshje me PSG-në në Ligue 1. Ai bëri debutimin e tij kundër Saint-Étienne më 28 nëntor, duke luajtur 90 minutat pas pesë muajsh në bankën e rezervave, gjë që i shkaktoi atij një lodhje të muskujve që e mbajti atë jashtë fushës për gati një muaj. Më 22 dhjetor, lojtari i Camas u rishfaq kundër Lorientit, duke u futur në fushë në pjesën e dytë, ku u ndëshkua me dy kartona të verdhë dhe përjashtuar pas vetëm katër minutave.

Fakti që Ramos nuk luajti asnjë minutë ishte një vendim i Pochettino-s që është në përputhje me politikën e tij që ai ka ndjekur gjatë gjithë sezonit. Trajneri nuk dëshiron të rrezikojë lojtarët që nuk janë aktivë për një kohë të gjatë dhe për këtë arsye reprezentuesi spanjoll nuk pati minutazh përballë Olympique de Lyon. Të shtunën, kundër Brest-it, mbrojtësi i PSG-së mund të rishfaqet në një lojë që në letër nuk duket shumë e vështirë.

(Kosova Sot Online)