
Ballkani synon ta mposht Prishtinën dhe ta marrë primatin

Java e 20-të në Superligën e Kosovës mbyllet sot, me tri ndeshje që pritet të jenë mjaft interesante.
Derbi do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës, atje ku Prishtina do të jetë nikoqire e Ballkanit.
Ndeshja do të fillojë nga ora 13:30.
Kampionia në fuqi nuk po kalon sezon aspak të mirë, duke u renditur e pesta me 24 pikë.
Kurse, skuadra nga Suhareka është në garë për titull, pasi renditet e dyta në tabelë me 36 pikë, dy më pak se Drita, shkruan Gazeta Express.
Me një fitore eventuale, Ballkani mund ta marrë sot primatin në ligën elitare të futbollit.
Një tjetër ndeshje interesante pritet të zhvillohet edhe në “18 Qershori” të Klinës, me Dukagjinin që nga ora 13:00 e pret Drenicën.
Klinasit momentalisht pozicionohen në vendin parafundit (9) me 18 pikë, teksa skuadra nga Skenderaj është e gjashta me 24 pikë.
Ndeshja tjetër që gjithashtu zhvillohet sot nga ora 13:00 është ajo mes Feronikelit dhe Gjilanit, me “Skifterat” që pritet të kenë punë të lehtë pasi takohen me juniorët e “Niklit”.
Gjilanasit janë në pozitën e tretë me 36 pikë, kurse Feronikeli i fundit (10) me 11 pikë.
(Kosova Sot Online)