Barça e Liverpooli e kërkojnë përmbysjen

  • A.P /
  • 14 April 2026 - 13:30
Barça e Liverpooli e kërkojnë përmbysjen

Liga e Kampioneve rikthehet sonte me dy përballje spektakolare të çerekfinales, ku gjithçka mbetet e hapur.

Barcelona dhe Liverpooli do të mundohen t’i  përmbysin humbjet me rezultat identik 0:2 nga ndeshjet e para, përballë Atletico Madridit dhe Paris Saint-Germain, në një mbrëmje që premton emocione të mëdha dhe dramë deri në fund.

Atletico Madrid – Barcelona: Mision i vështirë për katalunasit në “Metropolitano”

Barcelona udhëton në Madrid me një objektiv të qartë: përmbysjen e disavantazhit nga ndeshja e parë. Një sfidë që premton intensitet maksimal, duke qenë se përballjet mes këtyre dy skuadrave këtë sezon kanë qenë të shpeshta dhe gjithmonë të luftuara.

Atletico vjen me avantazhin e dy golave dhe mbështetjen e publikut vendas, ndërsa trajneri Diego Simeone pritet të mbështetet te organizimi defanziv dhe kundërsulmet e shpejta, shkruan “Gazeta Express”.

Kapiteni i ekipit madrilen, Koke ka theksuar rëndësinë e ndeshjes: “Është një javë vendimtare për ne. Duam ta arrijmë gjysmëfinalen dhe jemi plotësisht të fokusuar.”

Nga ana tjetër, trajneri i Barçës, Hansi Flick beson ende te rikthimi, duke u mbështetur te cilësia sulmuese e ekipit të tij.

Kartoni i kuq i Pau Cubarsit ndryshoi gjithçka në lojën e parë.

(Kosova Sot Online)