Shevchenko, popullit rus: Dilni në rrugë, ndalojeni luftën

  • A.P /
  • 03 March 2022 - 17:34
Shevchenko, popullit rus: Dilni në rrugë, ndalojeni luftën

Andriy Shevchenko pajtohet me vendimin për të pezulluar ekipet ruse nga garat dhe i ka bërë thirrje popullit rus që të ndalojë luftën.

Ish- ylli i Milanit është aktualisht pa punë pas shkarkimit të tij nga Genoa në janar dhe ai ka qenë tepër aktiv qëkur Rusia sulmoi atdheun e tij, Ukrainën, duke dhënë një sërë intervistash për media të ndryshme ndërkombëtare.

Duke folur sot për La Repubblica, Shevchenko fillimisht theksoi se ishte dakord me vendimin e FIFA-s dhe UEFA-s për të pezulluar klubet ruse dhe kombëtaren.

“Jam dakord me vendimin, ka pasur agresion. Derisa lufta të ndalojë, atletët rusë duhet të qëndrojnë jashtë”, tha ai.

Më pas ai zbuloi se nuk kishte një mesazh për sportistët rusë, por për popullin rus.

“Jo për atletët, për popullin rus. Si mund ta dëshmosh këtë? Reagoni, dilni në rrugë, dilni në sheshe dhe ndaloni luftën”, u shpreh Shevchenko.

Pushtimi rus i Ukrainës ka pasur efekte të mëdha sportive, me kombëtaren ruse tani që do të humbasë Kupën e Botës së ardhshme në Katar. Spartak Moska u detyrua të tërhiqej nga Europa League dhe finalja e Champions League është zhvendosur nga Shën Petersburg në Paris.


(Kosova Sot Online)