Sot nis java e 23-të në Superligën e basketbollit, këto janë përballet

  • S.A /
  • 19 March 2022 - 10:48
Sot nis java e 23-të në Superligën e basketbollit, këto janë përballet

Sot nis xhiroja e 23-të në Superligën e Kosovës në basketboll, duke dhuruar disa ndeshje mjaft interesante.

Sfida kryesore zhvillohet të dielën mes Pejës dhe Sigal Prishtinës, dy rivalëve të vjetër në basketbollin e Kosovës. Takimet mes këtyre dy skuadrave kanë qenë gjithmonë interesante dhe kështu pritet edhe në këtë përballje. Pejanët kanë 14 fitore e shtatë humbje, ndërsa prishtinasit 11 fitore dhe 11 humbje. Në elitë këto dy skuadra janë ndeshur tri herë, ku dy fitore shënuan pejanët dhe një herë prishtinasit. Ndërkohë, verdhezinjtë i kanë eliminuar edhe për Kupë.

Takimi i parë i kësaj xhiro zhvillohet ndërmjet Dritës dhe Rahovecit. Gjilanasit nuk kanë asnjë fitore në 22 ndeshje, duke qenë skuadra e vetme pa fitore në elitë, ndërkohë që Vreshtarët kanë tetë fitore e 13 humbje, duke qenë në formë shumë të mirë në takimet e fundit.

Të shtunën do të përballen Bashkimi me Golden Eagle Yllin. Për prizrenasit është një sfidë shumë e rëndësishme, duke marrë parasysh se ndodhen në vendin e gjashtë me nëntë fitore e 13 humbje, për të synuar “Play-off”in, ndërkohë, që therandasit janë liderë me 16 fitore e pesë humbje.

Të dielën po ashtu zhvillohet edhe një sfidë interesante mes Prizrenit 16 dhe Trepçës. Prizrenasit kanë 13 fitore e tetë humbje, ndërsa që mitrovicasit 15 fitore e shtatë humbje. Të dy skuadrat synojnë titullin dhe do të luajnë vetëm për fitore në këtë pjesë të rëndësishme të kampionatit.

Superliga – Java 23

E shtunë

17:00 Drita – Rahoveci

19:00 Bashkimi – Golden Eagle Ylli    

E diel

17:00 Prizreni 16 – Trepça

19:00 Peja – Sigal Prishtina

(Kosova Sot Online )