
MKRS i drejtohet FFK-së: Shkelët Ligjin e Sportit dhe Statutin

Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Federata e Futbollit e Kosovës ka shkelur Ligjin për Sport me vendimin për caktimin e 6 prillit si datë për mbajtje të zgjedhjeve për kryetar.
MKRS për këtë e ka informuar edhe FFK-në përmes një letre që ia ka dërguar sot Bislim Bislimi, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në këtë Ministri.
“Ministria e Sportit, nisur nga debatet e fundit, me qëllimin e vetëm që të konstatojë përtej debateve bazën e argumenteve, ka kërkuar një interpretim ligjor të argumentuar nga Departamenti Ligjor i MKRS-së i cili, në përputhje me mandatin e tij ligjor është përgjegjës për të dhënë opinione dhe rekomandime ligjore nga fusha e përgjegjësisë administrative e ministrisë përkatëse. Sipas këtij opinioni/interpretimi të Departamentit Ligjor të Ministrisë së Sportit, me veprimet e fundit për dhe rreth thirrjes së Kuvendit të Federatës së Futbollit, nuk është respektuar Statuti i Federatës dhe po ashtu janë konstatuar veprime në shkelje të dispozitave të Ligjit për Sport. Duke dashur të kemi një vlerësim parimor dhe argumentues për këtë çështje, Ministria e Sportit, përmes kësaj shkrese, kërkon nga organet drejtuese ekzekutive të Federatës që të na ofrojë nj informacion të detajuar përkitazi me veprimet procedurale të thirrjes së Kuvendit si dhe të ofrohen vlerësimet përkatëse në lidhje me çështjet vendimtare në këtë rast, nëse me mënyrën e aplikuar të thirrjes së Kuvendit të FFK-së, ka ndodhur shkelje e Statutit apo jo”, thuhet ndër të tjera.
(Kosova Sot Online)