Chelsea – Real, duel në mes gjigantësh në çerekfinale

  • S.A /
  • 06 April 2022 - 10:09
Chelsea – Real, duel në mes gjigantësh në çerekfinale

Sonte do të zhvillohet përballja kryesore e kësaj faze në mes të Chelseat dhe Real Madridit. Kampioni aktual evropian synon ta krijojë një epërsi solide para lojës së kthimit, kurse “Los Blancos” shkojnë për të mos u mposhtur në Londër. Në duelin tjetër luajnë Villarreali me Bayernin. Liga e Kampionëve vazhdon sonte me dy ndeshje të tjera. Pa dyshim, dueli kryesor i fazës çerekfinale është ai në mes të Chelseat me Real Madridin. Këto dy ekipe ishin takuar disa herë në të kaluarën dhe më të suksesshëm ishin “Blues”. Takimi më i freskët ishte ai i vitit të kaluar në gjysmëfinale, prej nga në finale kishin kaluar “Blues”.

Ata paraprakisht ishin takuar edhe në finale të Superkupës së Evropës në vitin 1998, kur londinezët fitonin me golin e Gustavo Poyer. Ata ishin takuar edhe në vitin 1971, kur në finale të Kupës së Fituesve të Kupës kishte fituar Chelsea 2:1. Chelsea do ta kërkojë trofeun e tretë të Championsit, kurse Reali të 14-tin. “Blues” do të mundohen ta sigurojnë sonte një epërsi solide para lojës së kthimit. Kurse, “Los Blancos” shkojnë në Londër për të mos u mposhtur. Ndërsa, dueli tjetër çerekfinal do të jetë ai në mes të Villarrealit me Bayernin.Gjiganti bavarez shihet si favorit për të kaluar tutje. Të dyja ndeshjet e sontme do të fillojnë në orën 21:00. 

(Kosova Sot Online )